Skip to main content

Pjata ime speciale

Drita mbi tavolinë bëhet më e ngrohtë, buka duket më e bardhë, vera më e ëmbël. Sikur duart të mos gatuajnë ushqim, por qetësi për shpirtin e lodhur të botës. Dhe njeriu, pa e kuptuar, ndjen se po ushqehet me diçka më të madhe se buka, me ngrohtësinë e një zemre që ka mësuar të lulëzojë.

Kam parë tavolina të pasura që më janë dukur të ftohta si dimri. Dhe kam parë një copë bukë, pak djathë e një buzëqeshje gruaje që e bënte gjithë mbrëmjen të dukej si festë. Sepse lumturia është përbërësi i fshehtë që nuk shkruhet në receta.

Si një gjendje e brishtë harmonie, ajo zbret me ty në bisedat e ngrohta të natës ku merr formë edhe rrëfimi më i vogël, kur strukesh e mblidhesh me veten e njëkohësisht kur këmbët i shtrin mbi karrigën që ke përbri, duke thënë si nën zë, çfarë kënaqësie!

Nga jashtë vjen zhurma e një shiu të lehtë dhe dritarja të kujton se kjo është melodi. Qelqi mjegullohet pak nga fryma e dhomës dhe ti mendon se sa pak i duhet njeriut për të qenë i plotë: një tavolinë, një dorë që të pret bukën, një sy që të sheh pa zhurmë.

Por vera i ndryshon të gjitha. Në verë edhe uria bëhet më poetike. Domatet çahen nga dielli dhe mbajnë ende erën e tokës, pjeshkët kullojnë lëng mbi gishta, borziloku të kujton trupin e gjelbër të kopshteve që rriten në heshtje. Në mbrëmje, kur ajri fillon të zbutet, tavolina nxirret jashtë, në oborr apo pranë një dritareje të hapur, dhe darka duket sikur po ndodh në mes të një ëndrre të vakët.

Një çarçaf i bardhë valëvitet diku në ballkon. Dikush qesh larg. Një gotë prek tjetrën me atë tingullin e hollë që të kujton detin. Dhe netët e verës kanë këtë gjë të çuditshme: të bëjnë të ndihesh i dashur edhe kur je vetëm.

Më pëlqen mënyra si vera i afron trupat pa zhurmë. Supet mbeten zbuluar, flokët mbajnë erë kripe e dielli, lëkura merr atë ngjyrën e mjaltit që të kujton se njeriu është krijesë e dritës. Edhe ushqimi ndryshon, bëhet më i lehtë, më sensual, sikur pjatat të mos jenë shpikur për të ngopur stomakun, por për të zgjuar kujtime.


Ndonjëherë mendoj se pjata ime speciale nuk është një recetë, është ajo ndjesia kur dikush të thotë “ha edhe pak” me një dashuri të pafajshme. Kur vera e ftohtë djersin mbi tavolinë dhe nata mban aromë qershie. Kur duart lëvizin ngadalë, pa ngut, sikur koha të kishte vendosur të pushonte bashkë me ne.

Kam parë gra që presin limonët në feta të holla dhe më janë dukur si artiste. Kam parë burra që ndezin zjarrin e skarës me një përkushtim pothuaj fetar. Dhe mbi tavolinë, mes pjatave të vogla, ullinjve, djathit të bardhë e bukës së ngrohtë, kalon një lumturi e qetë, e thjeshtë, që nuk ka nevojë të shpallet.

Tani tavolina është rrëmuar pak. Ka thërrime buke që ngjajnë si ishuj të vegjël mbi pecetë, një gotë e lënë përgjysmë, një mizë vere që endet pa kuptuar nga vjen gjithë kjo ëmbëlsi në ajër. Dikush është ngritur për ujë dhe është vonuar kot, vetëm për të parë natën. Sepse netët e verës kanë këtë vesin e bukur: të nxjerrin nga vetja pa të pyetur. Të bëjnë të mendosh për trupin tënd si për një frut që piqet ngadalë nën një hënë të butë.

Papritur kupton se pjata speciale nuk ishte ushqimi. Ishte mënyra si dora prekte tavolinën, si dikush kafshonte pjeshkën dhe lëngu i rrëshqiste në kyç pa turp, si era hynte nga dritarja dhe trazonte flokët e grave njësoj si perdet. Ishte ajo ndjesia e çuditshme që jeta, për disa minuta, nuk kërkonte asnjë shpjegim. Vetëm të rrije aty, me lëkurën ende të ngrohtë nga dita, ndërsa nata ngadalë të hynte në gjak si vera.

 


Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...

Edhe një herë

Ka caste kur njeriu dëshiron vetëm edhe një herë. Jo një jetë tjetër, jo një mrekulli të madhe, por një herë të vetme, një sekondë më shumë, një mundësi të vogël që duket e parëndësishme në dukje, por që për të është gjithcka. Edhe një herë të zgjohesh në mëngjes pa ngut, duke dëgjuar zhurmën e qetë të një dite që ende nuk ka filluar. Ajri i parë që mbush mushkëritë s’është thjesht frymë, por kujtim i gjallë i gjithë asaj që ka humbur dhe i gjithçkaje që ende pret të ndodhë. Edhe një herë të shohë dikë në sy, pa maska, pa fjalë të tepërta, pa frikë se koha do t’ia marrë. Një shikim që nuk ka nevojë për shpjegime, sepse kuptohet në heshtje. Edhe një herë të ndjejë aromën e kafes së freskët, ose erën e shiut në rrugët bosh. Këto gjëra të vogla, që në ngut e lodhje harrohen, janë ato që kthehen në pasuri të pamatshme kur njeriu kupton se koha nuk i jep pafund. Edhe një herë të qeshë me shpirt, ashtu sic qeshin fëmijët, pa menduar për çfarë do të thotë bota, pa ndjerë peshën e barr...