Është fjalia më e pafajshme në botë. Thuhet lehtë, pothuajse kot, si të mos mbajë asgjë brenda saj. Por njerëzit e dinë fare mirë sa gjëra janë nisur nga një kafe. Dashuri që kanë hyrë në jetë pa trokitur. Lamtumira që janë thënë duke trazuar sheqerin ngadalë. Heshtje që kanë shpëtuar njerëz nga vetmia. Ka njerëz që të ftojnë për kafe dhe në të vërtetë duan të të shohin sytë. Të dëgjojnë mënyrën si qesh. Të kuptojnë nëse je ende i lodhur nga jeta apo ke filluar të shërohesh sadopak. Mua më pëlqejnë kafenetë e verës. Ato ku tavolinat nxirren jashtë dhe mbrëmja ulet mes njerëzve si një grua e bukur që nuk ka ngut. Filxhanët mbajnë ende nxehtësi, por ajri është i butë. Dikush kalon me biçikletë. Një radio e largët luan një këngë italiane. Dhe qyteti duket sikur ka hequr për pak orë barrën e vet. Në ato çaste, kafja nuk pihet. Shoqërohet. Rri aty mes dy njerëzve si një sekret i vogël i zi që nxjerr avull. Dhe bisedat bëhen ndryshe. Flitet për gjëra të parëndësishme me një serio...