Skip to main content

Babait të ardhshëm të vajzës që dua të kem! (VAZHDIM…)


Duhet të kesh dëgjuar se shpirtrat takohen para fytyrave, se kemi jetuar edhe në jetën e mëparshme bashkë e sot ja ku jemi, duke shkruar dëshira e mbledhur premtime.

Të lutem ruaje!
Ruaje prej ditës kur ajo të të thotë se ka frikë të të humbë, ruaj bashkë me të qindra kujtime që do tja mbushin shpirtin, jepi 100 këshilla por lavdëroje në 1000 forma! Mësoje të mos bëhet si ty por t’i trajtojë njerëzit me të njëjtën mënyrë si do t’a trajtojnë atë, ruaje prej të këqijave. Thuaji se si ti je zhgënjyer në jetë e mësoje t’i bindet vetes se jeta do t’a përballë me shumë fytyra por me pak shpirtra!
Të lutem ruaje!

Ruaje prej llastimeve që do t’a dëmtojnë, thuaji se gabimet janë mësimet më të vlefshme të jetës por tregoi se kur të zgjohet në mëngjes, jo gjithmonë ti do të jesh aty për t’a motivuar të bëhet e fortë dhe se ditët e saj më të rëndësishme janë ato të cilat ajo do të arrijë të marrë vendime vetë!
Mësoja të gjitha, rrugët, godinat, institucionet, por mbi të gjitha mësoje të ruhet prej tyre, t’i thuash se të gjitha këto janë të ndërtuara prej dorës së njeriut por para jetës sonë cdo gjë tjetër është e pavlefshme.  Mësoje t’a dashurojë atë cfarë bën por të kujdeset për shëndetin e saj, të dalë shëtitje kur të ndihet vetëm, të zhytet në libra kur ka etje për dije e të ruajë zemrën e saj për njerëz që ja duan rrahjet.

Ruaje të mos bëhet si ty, i dashur e i dhimbsur deri në vetëmohim por tregoi se si të përgatitet për ngjarje, njerëz e ndodhi të papritura në jetë. Bëje të fortë si unë, sic më pohon mua gjithmonë, sic më thua ti je më e fortë se unë, të lutem ruaje nga dobësia. Unë do të jem aty, ti e di, por ti do të jesh pika e saj e dobët,sepse ti e di që unë do të jem aty veshur me një shembull jete  në shpatull duke i treguar  se ti, babai i saj, zgjodhe një grua të fortë…


Të lutem ruaje nga dashuria!
Ti e di, im atë nuk më ruajti prej saj, m’a dhuroi pakursim, më dha shpirtin, më fali jetën ndaj sot e ndjej që jam ende dobësia e tij, por mos e bëj të jetë si unë, një femër e cila u bë e fortë sepse nuk mundi të ruhej e vetme nga të gjitha këto.

Në ditën kur të mos jesh më, ruaje zemrën tënde për të, bëje qiellin t’i gjunjëzohet cdo dëshire të saj, bekoje e jepi diell në rrugën e jetës.  Babait të ardhshëm të vajzës që dua të kem, të lutem ruaje, sic po bën im atë në formën e një ëngjëlli dhe tregoi se sa vlerë paska dashuria e një babai.



Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...

Edhe një herë

Ka caste kur njeriu dëshiron vetëm edhe një herë. Jo një jetë tjetër, jo një mrekulli të madhe, por një herë të vetme, një sekondë më shumë, një mundësi të vogël që duket e parëndësishme në dukje, por që për të është gjithcka. Edhe një herë të zgjohesh në mëngjes pa ngut, duke dëgjuar zhurmën e qetë të një dite që ende nuk ka filluar. Ajri i parë që mbush mushkëritë s’është thjesht frymë, por kujtim i gjallë i gjithë asaj që ka humbur dhe i gjithçkaje që ende pret të ndodhë. Edhe një herë të shohë dikë në sy, pa maska, pa fjalë të tepërta, pa frikë se koha do t’ia marrë. Një shikim që nuk ka nevojë për shpjegime, sepse kuptohet në heshtje. Edhe një herë të ndjejë aromën e kafes së freskët, ose erën e shiut në rrugët bosh. Këto gjëra të vogla, që në ngut e lodhje harrohen, janë ato që kthehen në pasuri të pamatshme kur njeriu kupton se koha nuk i jep pafund. Edhe një herë të qeshë me shpirt, ashtu sic qeshin fëmijët, pa menduar për çfarë do të thotë bota, pa ndjerë peshën e barr...