Skip to main content

Lamtumirën dot s'e mbaj...

Ti hyre aty ku nuk guxoi askush ta bënte, gjete rrugën më të thjeshtë të mundshme dhe zbute cdo hendek ndërmjet, ti e zhveshe botën nga kotësirat e një maske që mbulon fytyrën e vërtetë, ti i veshur me një guxim që rëndom thuhej "prej të cmenduri", erdhe në shpirtin tim...

Ashtu sic ti dije, me zë të lartë e me zhurmë, me të vërteta, të zhveshurat që i trembin sot të gjallët, vetëm ti munde, ti nuk do dështoje kurrë, ti i veshuri në zemër e shpirt me njëmijë ndjesi! Ti erdhe...
Erdhe për të mos ikur asnjëherë!

Nuk solle me vete asnjë shabllon të sfilitur prej premtimeve boshe, nuk u zotove për të ndryshuar, ti erdhe i tillë sic je edhe tani, me një vrull të pashoq për jetën, emocionin, të bukurën, në një kohë të shkurtër por që shpirtin të mban plot për gjithë jetën!

Do të lexosh tek unë gjithë jetën, veten! Do të gjesh pak nga pak në cdo rresht të fshehur diku një pulsim që të përket, do të gjesh edhe njëherë në rrugët që dikur bëje, një kujtim të mbetur peng.
Sepse vetem ti hyre aty ku askush nuk pati guxim ta bënte, ti më shëmbe mure ngritur prej njerëzve të ftohtë, mi dhe formë lumturisë, nuk e kam zhbërë prej atëherë, vetëm ti e gjete rrugën për tek ajo!

Lutu ti njohësh njerëzit përtej lëkurës, më thoje, aty u fshihet e vërteta zemër, lutu të gjesh rrugë që të bëjnë të jesh e lumtur dhe kur të jesh rraskapitur mos ndalo, duaje dhe rend bashkë me të...
Po mos të të kisha njohur ty, do e quaja të humbur një pjesë të vetes, sepse ti arrite në ato hapësira ku unë isha e vetmja vizitore, ti erdhe paftuar, erdhe furishëm, me zë të lartë e me të vërtetat që gjithë jetën do të të bëjnë të jesh gjithmonë tek unë!

Në ditën kur nuk do të duhemi më e grushtë hidhërimesh të na e tresin shpirtin pak nga pak, qaj, qaj në dënesë! E kur të shkoj, të jem hapa larg teje, pasi të kem kthyer shpinën, besomë, edhe unë do të qaj, besomë, njësoj si ty, as unë lamtumirën dot s'e mbaj...

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Të kam dashur shumë

Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi. Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë. Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte ...