Skip to main content

Do kishim qënë të lumtur!


Do të ishte ditë e hënë e do të nxitonim në kafen më të afërt për të nisur një javë të vrullshme...
Unë do të isha e shpenguar e do të stresoja me pyetjet e mia, ndërsa ti, ti do më ulje shpirtin në tokë me shikimin tënd!
Ti je globi i rrotullueshëm e kudo të mbështes gishtin e di që do të gjej aty ty!
Ti je paqja! Të bardhë e ke dhe fjalën. Ma bën të hënën një të premte pasdite, ma kthen hartën në rrugën time, më vesh me një muzikë që prej duarsh më fton në kërcim!

M'u kujtove padashje ti, ndërkohë që dëgjoja këngën tënde të preferuar, më riktheve në atë botë ku mendoja se ishte e jona!
Në ate botë ku një premtim kushtonte më shumë se gjithë pasuria e një jete, nën atë cati, ku të pohoja se të lumtur më bën njeriu, nën një diell, ku buzëqeshja më vidhej duke të të thënë symbyllur, tani të dua!

Nuk do lëndonim askënd tjetër po të ishim bashkë, as nuk do njihnim të tjerë njerëz me fytyra të ndryshme e me gabime të njëjta, do kishim qënë të lumtur...

Nuk do kishim ndezur keqaz zjarre mërie për të djegur duart e një kohe që pranë na donte, nuk do urreheshim si sot, as për njeri tjetrin sdo të mbushnim gota plot gërma me vrer që helmojnë edhe ajrin, nuk do të na duhej edhe një herë tjetër një tufë me ëndrra t'i sistemonin, do kishim qënë të lumtur pa i veshur brirë krahëve të një ëngjëlli...

Ti e di, një zemër thyhet disa herë, po prap vazhdon rreh njësoj...
Thyhet disa herë, për t'u bërë më e fortë!



Dua të ndez nga një qiri për cdo ditë që nuk e nisëm bashkë, të mbush një dhomë plot dritë për cdo emocion të munguar, të ngroh shpirtin e një catie që asnjë ditë nuk na mbajti dot brenda kafazit të një zemre.
Këmbëkryq jam ulur në pllaka te ftohta, i pëshpëris vetes, mos u mërzit, dyer që mbyllen janë ato që nuk na duhen, të tjerë hapa presin gjurmën time!

Ngadalë tërheq këmbët drejt dritares, i hap të dyja kanatet dhe era e fortë ma bën vëndin errësirë, qirinjtë shuhen, bashkë me të edhe dëshirat e mia!

Iku edhe një ditëlindje...

Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...

Një herë e një jetë

Thuhet se diku, në një vend që nuk gjendet në asnjë hartë, ka njerëz që jetojnë ndryshe. Ata nuk ecin me ngut, nuk rendin pas kohës, nuk mbajnë në zemër pesha që nuk janë të tyret. Ata zgjedhin të jetojnë si në përralla, jo për të shpëtuar nga realiteti, por për ta ndriçuar atë nga brenda. Në atë botë, mëngjeset nuk nisin me alarm, por me një rreze që përkëdhel qepallat. Çdo ditë është një faqe e bardhë ku nuk shkruhen detyra, por ngjyra dhe sytë e njerëzve nuk janë për të gjykuar, por për të parë thellë, atje ku fillon drita. Në këtë përrallë që duket si ëndërr apo ëndërr që duket si jetë nuk ka udhë të qarta, por ka një ndjesi që të çon gjithmonë aty ku duhet. Është zëri i butë i zemrës që të thotë “ndalu këtu, këtu je mirë”. Dhe kur ndalesh, gjithçka merr kuptim edhe gjethet që bien kanë histori, edhe erërat që fryjnë mbajnë fjalë që askush nuk i ka thënë ende. Njerëzit atje nuk janë të përkryer, por janë të vërtetë. Ata dinë të qeshin me lot, dhe të qajnë pa turp. E dinë që jeta...