Skip to main content

...duhej të më thoje qëndro!

Duhet të të kisha thënë shumë gjëra para se të largohesha me një lamtumirë! Kur të kisha përballë për herë të fundit, e vendosur për të mbyllur një libër historie, kur me gjakftohtësi të të thoja kaq ishte, mbaroi, në atë hezitimin tënd për të folur, duhej të të kisha thënë se të kam dashur, se nuk të hedh poshtë asnjë ditë, se ti ishe një njeri i mrekullueshëm, edhe unë isha…

Duhej të të thoja mos më lër të të lë unë, qëndro, rezisto, më mbaj…
Duhej të të thoja më përqafo si dikur, ndoshta do më zbutej zemra…
Ku i kishe fshehur gjithë fjalët që duhej të m'i përplasje fytyrës?

Të më thoje qëndro, ashtu sic qëndrova unë me ty, kur askush nuk ishte, kur të mohoja qënien tënde me mospërfillje e të thoja shko… të më përplasje fytyrës gjithë dëshirat e tua, mënyrën se si më bërë të të dua, formën që i dhe ditëve të mia, të ulërisje me forcë se unë dikur të kam thënë se pa ty nuk mundem, kurse sot jam ajo që dua të të zhvesh përgjithmonë nga ajo jetë që e quaj vetëm timen, atë që dikur e ndaja me ty … të më thoje se mund të rinisë gjithcka me një buzëqeshje, një nga ato të miat, që dikur të dedikohej ty!




Me butësinë që më bërë për vete, kur lëshoja arrogancë në cdo fjalë, kur nuk doja të doja askënd përvec vetes, aty ku u riktheva si dikur, t’i bëje të gjitha nga fillimi…
Duhej të ma thoje i pari se po gaboja, duhet të më thoje se po nxitohesha, të më kapje prej duarsh e të ngulje këmbë të shihja në sy, të thoje prap: je kaq kokfortë!
Tani që i mendoj të gjitha, pas kaq shumë kohësh, dua të të them se të bëj fajtor që më le të shkoja, prej teje mora shumë…

Prej gabimeve të mia, mësova se  nuk kam ndeshur kurrë asnjë njeri në botë që të mos jetë bërë një njeri më i mirë nëpërmjet dashurisë, se gabimet dhe dështimët të bëjnë të ngrihesh fort me të dyja këmbët duke e ditur mirë se ku të mos shkelësh në rrugën e kthimit, se duke dashur shumë veten nuk bëhesh egoist, por mëson të duash të tjerët me zemër, se të pranosh të tjerët pa kushte nuk do të thotë të bësh kompromis me veten për t’u bërë sipërfaqësore, se ti ishe reflektim i atyre gjërave që unë bëja… e nëse arrita të heq dorë nga ti, kisha hequr dorë nga vetja!

Ti ishe pjesa më e mirë e imja, shpresoj të të kem bërë të lumtur…

Ndjesë për largimin, duhej të më thoje qëndro…



Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë do të vij…

Do të vij kur të jetë koha, do të vij kur koha të jetë gati për ty. Do të vij atëherë kur të gjitha yjësitë të jenë në vendin e duhur dhe dielli të jetë në anën tënde. Do të vij kur ti të mos numërosh rrahjet e zemrës si një kërcënim për minutat që të ikin, por të jesh i ulur në bregun e ndërgjegjës se jeta është e bukur edhe pa njësi matëse. Do të vij kur të jetë paqe se stuhitë i kam njohur dhe i mbaj brenda vetes kur të më duhet të ujis shpirtin e të cel përsëri. Unë do të vij kur ti të mos mbash mëri vetes për atë që nuk ishe dot, do të vij pikërisht për të të mësuar se jeta ndodh edhe kështu, përballë një pasqyre që paturpësisht të tregon atë që ti refuzon të shohësh, veten! Unë do të vij kur zemra mos të të peshojë më zemërim… Unë jam festa më e bukur e vetes, unë do të vij kur ti të jesh gati për një natë të gjatë plot drita e shkëlqim, do të vij kur ora ime të jetë magjike, kur gjithë duartrokitjet të jenë kthyer për një spektakël ku pritja të marrë fund me një këng...

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...