Skip to main content

Ty, kohë!


Mezi e gjeta telefonin në malin e formuar prej 47 zgjedhjeve të mia se ”cfarë duhet të vesh”?! U lehtësova kur pashë se nuk kisha asnjë thirrje të humbur dhe e fluturova telefonin me bindjen se nuk do të më duhej më…
Kuptova se koha më kish kapur prej fyti dhe më kish lëshuar të rraskapitur në këtë moment. Ndjeva se egoizmi i saj më mbajti peng një ditë plot! Psherëtiva e shfrytëzuar.
Unë e dua kohën, ajo më zotëron! Më heq atë copëz që më së shumti luftoj ta kem, më shkëput prej cka më së shumti dua, është një xheloze e sëmurë.

Më hoqi nga goja fjalën mirëmëngjes sot, që nuk ta thashë kur u shkëmbyem shkallëve.
Më nduku me ajër të ftohtë para fjalës faleminderit.
Më thau shpirtin nga dashamirësia….

Më dhëmbi më shumë nga cdo gjë ajo koha që nuk gjeta për të thënë se të dua, sot!  Se pikërisht sot e ndjej, se në momentin më të dobët timin kam nevojë të ta them, se forca ime më e madhe është pikërisht në gjërat më të trishtuara që kam shkelur, sepse aty, në atë cast gjej veten duke marrë frymë thellë e duke pranuar se “cdo gjë do të shkojë mirë’.
Se kuptoj pse jam përherë në luftë me ty, e për dreq për ty luftoj, afate për të plotësuar, afate për të ndjekur, data për të respektuar, fatura për t’u mbyllur në kohë, kohë për kohën, luftë për kohën, ti, luftë me mua!

Sot t’a kam inatin, e ti e di që unë e mbaj gjatë e nuk di të “zbutem” përballë të voglave të padukshme si ti. Nëse do të luash, mbi të gjitha përgatitu të humbësh, dhe vish mburojën sepse ti e di, këtu ka rregulla. Të më thuash se je gati, më beso, nuk më frikëson aspak, kam njohur fuqi më të rënda se pesha jote, ndaj smë tkurr aspak hija jote. Nuk më mban dot larg nga gjërat që mi do shpirti, ti egoiste e sëmurë. Nuk ma vjedh dot hallkun e zinxhirëve që e kam lidhur fort me jetën.  Nëse ke arritur deri në pikën sa të jesh përballë meje, atëherë përgatitu për të shkuar edhe më larg, nëse jam e keqe sot me ty, po të them se kam patur mundësi të jem edhe e mirë, nëse të kam lënë orën time në dorën tënde sot të përndjek e të kam në shënjestër. E shpresoj që kur të më gjesh prap, të jesh bërë copash prej përndjekjes për të bërë prap të burgosurën e tempullit tënd.



Unë ty nuk të dorëzohem! Ti e di sa capkëne jam kur më sfidojnë. Unë mund të rri duke të të soditur gjithë kohës trupin tënd të përbërë prej 24 orësh, e në minutën e fundit, të përmbyll atë për të cilën ti u mundove aq shumë! Po ta shohësh mirë, duhet të më duash pak më shumë, duhet të më jepesh pak më shumë… ka një vënd që është më i ngrohtë se asnjë, është ai vënd ku ti nuk ekziston. Është kaq rehat sa dua të jetoj përgjithmonë këtu… ulur përballë zjarrit, duke tërhequr telefonin për të dërguar një mesazh:
“Për cdo të sotme që nuk ta thashë, të premtoj se të dua edhe nesër!”

Desantila


Comments

  1. Ci ke keto Perla Moj Vajze :)

    ReplyDelete
    Replies
    1. Qe ti "vesh" si varese nje dite, perpiqem nje nga nje per keto :-) Faleminderiiiit!

      Delete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Të kam dashur shumë

Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi. Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë. Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte ...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...