Skip to main content

Birit tim të ardhshëm, një ditë...


Do të dal duke qarë prej vizitës time të parë, kur doktori të më thotë me gëzim se do të bëhem me djalë, do qaj, po po, do qaj me dënesë si fajtore që cdo ditë ëndërroja të ishe vajzë! Do të të dua…
Do t'i pohoj duke qarë biri im, babait tënd se do të bëhet me trashëgimtar, e lotët e tij do të bëhen edhe më të forta se të miat!

Do qaj me lot gëzimi kur të puth sytë shtrënguar në duar ditën që do të vish në jetë, si një pikë hëne këputur qiellit drejt e në shkëlqimin e syve të tu! Do të të dua…Kur të më zgjosh netëve se do të kesh temperaturë, kur të shohësh ëndrra e të ngutesh të hysh në gjirin tim për t’u strukur brenda asaj dashurie që merr jetë me ty!


















Do më mbushet kraharori plot ditën kur të kthehesh prej shkollës e me ngutje të më tregosh se yjet kanë mbuluar fletoren tënde! 

Qirinjtë e cdo ditëlindje timen do mbajnë gjithë dëshirat e mia për ty! 
Mbi të gjitha, bëhu njeri i mirë shpirt! Mbi cdo njeri, duaj veten, duaj botën! Mos u ndal, asnjëherë, për asnjë arsye, mos lejo askënd të të thotë se nuk mundesh, ti je i bërë me dashuri, fuqia e saj është e mbinatyrshme!

Duaje femrën, në cdo formë!
Nuk ka burrëri më të denjë se sa fisnikëria, i mëncuri im, bëhu tolerant, je balsami i dashurisë së jetës time, jepe këtë energji edhe rreth të tjerëve! Duaji njerëzit, asnjë e keqe nuk të vjen prej një zemre plot, ti që më jep ushqim për shpirtin, ndaje këtë pasuri tënden me botën!

Do të qaj për ty, sepse ti më paske dashur më shumë, ndaj erdhe tek unë... Do qaj me sytë qiellit, për të thënë faleminderit, mora më shumë se cfarë meritoja!

Nëse një ditë, kur jetës të jem duke i puthur lamtumirën e do kthehesh duke qarë ti tek unë, biri im do të të them, të desha shumë...

Comments

  1. Te mbushin zemren keto shkrime, plot e perplot! Te pergezoj fort e dashur femer pozitive ( qe pozitivitetin e transmeton dhe tek ata qe s'te njohin) !

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë do të vij…

Do të vij kur të jetë koha, do të vij kur koha të jetë gati për ty. Do të vij atëherë kur të gjitha yjësitë të jenë në vendin e duhur dhe dielli të jetë në anën tënde. Do të vij kur ti të mos numërosh rrahjet e zemrës si një kërcënim për minutat që të ikin, por të jesh i ulur në bregun e ndërgjegjës se jeta është e bukur edhe pa njësi matëse. Do të vij kur të jetë paqe se stuhitë i kam njohur dhe i mbaj brenda vetes kur të më duhet të ujis shpirtin e të cel përsëri. Unë do të vij kur ti të mos mbash mëri vetes për atë që nuk ishe dot, do të vij pikërisht për të të mësuar se jeta ndodh edhe kështu, përballë një pasqyre që paturpësisht të tregon atë që ti refuzon të shohësh, veten! Unë do të vij kur zemra mos të të peshojë më zemërim… Unë jam festa më e bukur e vetes, unë do të vij kur ti të jesh gati për një natë të gjatë plot drita e shkëlqim, do të vij kur ora ime të jetë magjike, kur gjithë duartrokitjet të jenë kthyer për një spektakël ku pritja të marrë fund me një këng...

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...