Skip to main content

Unë, ti dhe Ajo!

Sa gjëra nuk shohim unë e ti!
Edhe se nuk duam, edhe se shpesh herë i neglizhojmë, edhe se shumë herë ajo hesht!

Unë e ti nuk e shohim kur atë e dhunojnë, se brënda murit tonë jemi rritur e ushqyer me dashuri, me atë të ngrohtën e të brishtën që na veshin me kujdesin prej femre!

Unë e ti nuk e dëgjojmë kur asaj i lëshojnë “breshër” me ofendime e përbuzje nga ai që në dokumenta konsiderohet “bashkëshort” i saj, sepse në kumbimin që dëgjon veshi im dhe i yti, jemi mësuar të shoqërohemi me fjalët “mirëmëngjes, ditë të mbarë”.

Unë e ti nuk e ndjejmë si ajo vuan kur ai rrëkëllen gotat e alkolit nën shoqërinë e “burrave” dhe ti vuan “burgmin” e përjetshëm brënda katër mureve, sepse ne jemi ato që pas orarit të pasdites tek parukierja, na presin për darkë në restorantin që na pëlqen aq shumë.

Unë e ti…
Nuk jemi si ajo!
Unë e ti flasim e diskutojmë me peshën e përgjegjësisë për të vendosur nëse brënda një marrëdhënieje nuk ndihemi komode, të  braktisim të qënurit “cift” për të ndërtuar një jetë të shëndetshme vetëm, kurse ajo mban veshur “turpin” se pas cdo dhunimi, duhet të ndajë shtratin me atë të cilin para dy minutash po e trajtonte si të ish një qënie e braktisur, e rrahur deri ne palcë, e vrarë deri në shpirt!

Unë e ti kemi zë, ajo ka një varr në shpirt, aty i qan të gjitha!
Ajo u lind femër, si unë e ti, u rrit femër, e tillë do të mbesë…
Unë e ti, do të rikthejmë kokën në fëmijëri e do të buzëqeshim me të madhe se si prej ëndrrash të thurura me kukulla ndër duar, u rritëm në femrën në karrierë, në atë femër që edhe ajo meriton të jetë.
Do të ndërtojmë një familje të lumtur, në shtëpinë që do ta kemi mobiluar shije-hollë e të mbushur me dashuri, sepse në krah ke një person i cili është mbështetja jote më e madhe, kurse ajo, do të na “urrejë” e do të na “lëvdojë” në të njëjtën kohë!

Unë e ti!
Mësuam se në jetë duhet të na duan, se me të tillë mekanizëm gjenerojmë dhe përcjellim po të njëjtën ndjesi e optimizëm, e shpërndajmë lumturinë me cdo qelizë kur e kemi zemrën plot!
Mësuam se babai, vëllai e shoku janë të rritur me shumë dashuri, ndaj në formën e tyre, dinë të të plotësojnë edhe cepat e mbetur bosh në ajrin tënd!



Ty, kam forcën të të them sot:
Barazia nuk duhet kërkuar në tryezën e politikës mes teje dhe një mashkulli, as në postet drejtuese, as në sfidën me gjininë tjetër!

Barazia duhet të marrë jetë mes nesh, njëra tjetrës, femrës që je ti e femrës që jam unë, të lumtur si unë, të dashur e të plotësuar si ti, që në xhepin e memories time, të mos trishtohem duke të thirrur: Ajo!

Desantila



Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...

Edhe një herë

Ka caste kur njeriu dëshiron vetëm edhe një herë. Jo një jetë tjetër, jo një mrekulli të madhe, por një herë të vetme, një sekondë më shumë, një mundësi të vogël që duket e parëndësishme në dukje, por që për të është gjithcka. Edhe një herë të zgjohesh në mëngjes pa ngut, duke dëgjuar zhurmën e qetë të një dite që ende nuk ka filluar. Ajri i parë që mbush mushkëritë s’është thjesht frymë, por kujtim i gjallë i gjithë asaj që ka humbur dhe i gjithçkaje që ende pret të ndodhë. Edhe një herë të shohë dikë në sy, pa maska, pa fjalë të tepërta, pa frikë se koha do t’ia marrë. Një shikim që nuk ka nevojë për shpjegime, sepse kuptohet në heshtje. Edhe një herë të ndjejë aromën e kafes së freskët, ose erën e shiut në rrugët bosh. Këto gjëra të vogla, që në ngut e lodhje harrohen, janë ato që kthehen në pasuri të pamatshme kur njeriu kupton se koha nuk i jep pafund. Edhe një herë të qeshë me shpirt, ashtu sic qeshin fëmijët, pa menduar për çfarë do të thotë bota, pa ndjerë peshën e barr...