Skip to main content

Është tjetër jetë në fletë!

Shumë shpesh, me ose pa vetëdije ne i lejojmë opinionet e njerëzve që të kenë impakt të fortë në ndjenjën tonë të vetëvlerësimit. Vecanërisht të rinjtë, adoleshentët, të cilët po bashkëjetojnë në një botë ku më shpejt zhvlerësohesh sesa motivohesh! Kam patur edhe unë ditë të tilla, si kushdo, e për dreq asnjëherë nuk e (mirë)kuptoja shprehjen “çfarë të vret të bën më të fortë”.


Me kohën, u mësova se unë nuk jam ajo cfarë thua ti! Unë jam e gjitha ajo që shoh në pasqyrë. Madje i bindem fort idesë se ajo çfarë unë jam formësuar sot i dedikohet totalisht përzgjedhjes personale të librave që kam lexuar, të njohurive që kam përthitur, të filmave që kam parë, të gjithë përjetimeve shkollore universitare e në fund edhe të selektimit të një rrethi shoqëror prej të cilit kam patur terrenin për të shprehur atë që unë jam duke u pranuar prej të tjerëve e për të pranuar të tjerët ashtu sic ata janë. Ti je ajo cfarë beson në vetvete se je, ty nuk të bën tjetri më pak të mënçur nëse përpiqet të nxjerrë nga ti dobësitë e tua! Ka diçka që bën thellësisht diferencën, quhet kulturë! Është ajo veti që nëse i mungon individit rrjedh në defiçenca të tilla të cilat të dëmtojnë edhe ty. Të ushqesh mëndjen, të edukohesh, të duash, të lexosh, të përcjellësh pozitivitet tek njerëzit që të rrethojnë, është kulturë. Nëse mundesh, kujdesu për të gjitha nga pak, nëse të bën të ndihesh mirë, është e sigurtë që do të bëhet “ngjitëse” tek të tjerët.
Piramida e Maslow është një teori që jep një model pesë shtresor të nevojave njerëzore. Kur një kërkesë bazike arrin të plotësohet, shoqëria vetvetiu kërkon të bëjë progres duke hedhur hapa të tjerë në fazë tjetër. Plotësimi sjell motivim.
Nisem të shkruaj më shumë e të tregohem vetvetiu optimiste në atë që dua të përcjell e po ashtu të marr, por që në momentin që jemi ende shoqëri e paplotësuar në "nivelin bazik", them se sa vlerë të madhe do të kishte nëse arrijmë të kapërcejmë nga njëri "kat në tjetrin" dhe se sa ndikim do të kishte plotësimi vetjak edhe tek shëndeti social në përgjithësi. Nuk ka vetëm një fajtor, janë të gjitha zinxhir që pengojnë si individin ashtu edhe shoqërinë, në realizimin e objektivave.

Të gjithë duam një jetë më të mirë por jo të gjithë e kemi sepse jo të gjithë përpiqemi. Mendo për një moment se si do ishte jeta jote po të ishe në të njëjtën kompani me një nga biznesmenët më të mëdhenj në botë, si do të ishte po të punoje në të njëjtin kabinet me një drejtues të suksesshem, se sa i shëndetshëm do të ishe po të shoqëroheshe cdo ditë nga njerëz optimist, njerëz që të motivojnë, njerëz që janë aty dhe kanë fuqinë të japin njëndryshim në jetën tënde. Të kesh një mentor është gjithmonë diçka e fortë e me ndikim sepse nëse dikush si ata mundet, edhe ti mundesh!
Mbaj mënd se diku kam lexuar një shprehje: nëse hyn në një shtëpi dhe nuk ka libra, ik prej aty! Në fakt unë kur jam përballur me situatë të tillë, nuk kam ikur, përkundrazi, jam ulur dhe kam biseduar gjatë, ndoshta edhe gjëra të cilat në dukje mund të duken të parëndësishme, por në thelb do të më bënim të kuptoja se realisht poshtë asaj çatie, ka njerëz të varfër! Të gjithë duam një jetë më të mirë, por jo të gjithë përpiqemi për këtëKam njohur njerëz që drejtojnë sindikata të mëdha, njerëz të niveleve të larta drejtuese, të pasur, të suksesshëm, të thjeshtë, të thjeshtë deri në palcë dhe të lumtur. Rrezatonin një lumturi të paqtëSepse një jetë më e mirë vjen kur ti përpiqesh për veten tënde. Të gjithë personazhet e njohur kanë mentor që si rregull duhet të jenë dhjetëfish më të përgatitur se ta, njerëz si Bill Gates, Sam Walton, Oprah Winfrey. Ata janë si unë e si ti por nuk lindën të tillë. Punuan fort, dështuan, u rrëzuan, u refuzuan, por ja ku janë sot. Madje Oprah Winfrey në një prej rrëfimeve të jetës së saj e përlotur ka treguar se nata më e lumtur e jetës së saj kanë qënë Krishtlindjet kur ka qënë fëmijë i vogël, me shpjegimin se nëna e tyre sapo u kishte dhënë lajmin se ata nuk do të festojnë atë natë si gjithë të tjerët pasi në tryezë nuk kishin për të ngrënë e as në dysheme nuk kishte dhurata, ishin njëfamilje me një varfëri të skajshme, derisa dikush atë natë trokiti në derën e tyre duke i dhuruar pako plot me ushqime e lodra fëmijësh. Ajo pohonte se kishte qënë nata më e lumtur e jetës së saj dhe tregonte se ju rikthye besimi dhe forca në vetvete që një ditë edhe unë do t’ja dal të bëhem dikush e të ndihmoj njerëz. Nuk u pasurua atë natë, as nga pakoja e ushqimeve as nga lodrat, ajo u vesh me besimin se po të duash e të punosh fort për dicka, ti mundesh!
Përtej mentorit të gjallë në botëkuptimin tim janë edhe ata që quhen thesarë të fshehur, librat! Nuk jam një prej njerëzve që pretendoj se lexoj 30 libra në muaj, por nuk kalon një ditë që të mos lexoj dicka. Nuk jam personi më i mirë për të dhënë këshilla por do t’i lejoja vetes të të kërkoja që të bësh cdo ditë nga një gjë të vogël. Më thuaj pak kur ka qënë hera e fundit që ke konsumuar dicka pa sheqer, kur ke ngrënë në mënyrën më korrekte, kur ke zgjedhur shkallët në vend të ashensorit ose kur ke lejuar ajrin e pastër në vend të kondicionerit? 
Është e vështirë por vështirësia e bën të madhe cdo gjë! Edhe nëse je i uritur ti prap mund të jesh i lumtur në rrethin e miqve duke qeshur me shpirt. Vitaminat shpirtërore janë ushqim i përditshëm. Cdo ditë lexo dicka, sado e vogël të jetë. Statistikat tregojnë se motivimi për të lexuar rritet me moshën, sa më shumë rritemi, aq më tepër ndjejmë nevojën për të lexuar e mësuar më shumë. Por një ndikim të fortë në këtë proçes ka shtëpia, familja! Çdo gjë nis prej aty. Nëse një fëmijë ushqehet dhe motivohet për të lexuar, këto janë çelësi i zhvillimit mendor të tij. Mbaj mënd se libri i parë që kam lexuar ka qënë “Shtëpia prej cokollate”, që prej atij momenti, në çdo faqe e gjeja veten pre e fantazisë që më vishte çdo tregim i librit, madje kam arritur deri aty sa mendoja se kishte vërtet shtëpi të tilla prej cokollate të cilat ishin lehtësisht të ngrënshme.
Tani që jam rritur, dua të mbetem vetë peng e një libri të mirëKa ditë ku realisht dua të vesh rolin e personazhit kryesor e të jetoj nën lëkurën e saj, duke ndjekur me fanatizëm e etje të madhe çdo ngjarje. Është pikërisht në ato ditë gri, në ato ditë plot diell, në ditë të mira e në më pak të mira ku adezivi më i mirë është libri, për të plotësuar mëndjen me histori të cilat nesër do të të bëjnë të diskutosh në atë tavolinën e vogël ku do të konsumosh një kafe, do të ngjallë tek ty një ndjesi tjetër, do të nxisë diskutime e rrjedhimisht do të të bëjë të kuptosh mënyrën se si gjithësecili prej nesh e përjeton një ngjarje të caktuar. Është një ushtrim tepër i mirë i imagjinatës njerëzorë dedikimi i të lexuarit si kënaqësi dhe jo si presion i fjalës “duhet”.
E di se shpesh herë madje kam marrë krahët e kam imagjinuar me vete se autorja e atij libri jam unë, sepse shkruhej ekzaktësisht cdo gjë sic e bluan mëndja ime. Këto kanë qënë herët kur unë personalisht jam ngacmuar që të nis të shkruaj. Kam shkruar keq, jam kritikuar, jam lënduar, për hir të vërtetës edhe kam qarë kur kam lexuar komente negative që më kanë prekur atë ndjesi të cilën unë e lidh me shpirtëroren e njeriut, sepse përherë kam menduar se personaliteti i njeriut duhet t’i shërbejë shpirtit.
Fjalët janë të fuqishme, kanë një lloj peshe me të cilën mundet të na ngrenë shpirtin peshë e me të njëjtën forcë të na thyejnë copash përtokëKanë fuqinë të na bëjnë të kuptojmë se si funksionojnë shumë gjëra midis nesh e përtej nesh. Fjalët janë një jetëKa shumë jetë edhe në një fletë. Kam lexuar histori të trishta e kam qarë me dënesë, më janë shkundur deri në palcë kockat e dhimbjes e kam falenderuar me kryet lart jetën që kam! Jam lumturuar me shpirt për triumfe zemrash, për grimca ekstazash e për gëzime që nuk i vihen dot emra. Këtë ylber ndjesish më ka dhënë një libër!  lexosh do të thotë të jetosh 1000 herë para se të vdesësh, sepse në një fletë e njëqind të tilla, është tjetër jetë, janë dritaret e botës! Librat janë një biletë për liri të pakushtëzuar. Zgjidh çdo ditë të ushqesh veten me njohuri të cilat më beso, një ditë do të të duhen fort. Jeta nuk përbëhet vetëm prej arritjeve, të gjithë e dimë se rruga që bëjmë deri tek qëllimet e vendosura në kokë, janë sakrifica që gjithmonë kujtojmë. Mbajeni mëndjen hapur për dije! Bën diell jashtë asaj dritares, ka një botë tjetër jashtë atij kufiri!


Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...