Skip to main content

A mjaftoj unë?


A ta kam thënë ndonjëherë se sa vlej unë?

Unë jam mjaftueshëm, pavarësisht standartit të vendosur nga bota, pavarësisht pritshmërive të të gjithëve, unë jam mjaftueshëm!

Jam e lumtur, jam e sinqertë, jam mjaftueshëm! Jam e qeshur dhe bëj për të qeshur, jam e fortë dhe jam shumë e dobët, di të dua aq fort sa nuk kam fuqi të urrej, bëhem një “bjonde” e vërtetë kur dua e në thelb mbaj brunen me gjithë forcë, jam e cmendur, jam qelq, jam plastelinë, të gjitha këto jam! Jam e besueshme dhe më beso, punoj shumë për veten, e nëse nuk të rezulton kështu, të siguroj që jam duke u përpjekur fort, por ama kështu jam mjaftueshëm për njerëzit e mi, për shoqet e mia, për miqtë e mi, për botën!


Nuk jam perfekte, nuk jam gjëkundi afër për të qënë ajo e lavdërueshmja prej të gjithëve, por po të jepja gjithë qënien time për gjërat që nuk i bëj mirë, do të isha e frikshme!
Unë nuk mbaj mënd të gjithë datat historike, nuk mbaj mënd as formula as teorema, nuk mbaj mënd ligje dhe bëj shumë gabime. Nuk kam përfunduar shkollën me mesataren 10 në asnjë nivel shkollimi, as në provimit e anglishtes nuk mora pikët maksimale dhe nuk kam studiuar filozofët e cdo shekulli dhe impaktin e tyre në jetën shoqërore, por unë jam mjaftueshëm!
Gaboj, edhe në marrëdhëniet njerëzore e ndoshta ndonjëhere mund të mos kem kërkuar as falje, por më beso, unë nuk lëndoj askënd me dashje. Ja di vlerën dhimbjes e nuk mundem t’ja vesh askujt këtë. Nuk kam kufij por njoh ku janë limitet e mia kundrejt tjetrit. Nuk jam e madhe mjaftueshëm që ti bëj të gjithë të ndihen komodë në prezencën time, jam muri më i keq i ndërtuar për sjellje që nuk i konsideroj të pranueshme! Por përpiqem shumë që në rrethin tim të të bëj të ndihesh po aq e adhurueshme sa e mendon ti veten!

Lutem që herës tjetër kur të ndeshemi e të të pyes si je, të mos më përgjigjesh: Mirë…shumë e zënë me punë…nuk është se gjërat janë dhe aq mirë!
Më thuaj se ke një zemër të lumtur, se prej së brëndshmi e ke kuptuar që ndihesh mirë sepse përpiqesh të bësh dicka më shumë, e procesi që kërkon më të mirën prej teje, është ajo cka gjeneron më të mirat tek ty. Ma shquaj edhe mua që nuk jemi thjesht qënie që punojmë dhe mbajmë në kurriz ngarkesa emocionale që dita ditës na gërryejnë, por në fund të ditës jemi qënie njerëzore…dhe që në bisedat e mbrëmjes kemi atë fuqinë që të prekim edhe ndjenjat që pak na i njohin!
Më fol për shpirtin tënd, si ndihesh, e ku të dhëmb e ndoshta do të jap dorën e do të ec me ty. Ti meriton shumë dashuri, dashurinë ndaj vetes të parën. Mos e mundo më frymën për të përmirësuar veten kur gjen gabime tek të tjerët! Sot nuk dua të mendoj sepse…

Unë jam mjaftueshëm në të gjitha!


Ti je mjaftueshëm tek të gjitha.

Desantila

Comments

  1. Shume bukur! Nqs do te behesh contributor tek UPress.al me thuaj.

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Të kam dashur shumë

Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi. Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë. Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte ...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...