Ka raste kur ndjej që dashuria nuk është një ndjenjë që na përket, por një qenie më vete, një kalë i bardhë që shfaqet në mjegull, pa zë, pa trokë, dhe largohet po aq lehtë sa erdhi. Dhe gjithçka që na mbetet është fryma e saj, një erë e lehtë që ngatërron flokët, një drithmë që nuk arrin kurrë të shpjegohet.
E kam parë dashurinë të ulet në pragun tim, si një mace e egër që vështron me sytë e saj të arta, por nuk afrohet kurrë plotësisht. Herë-herë më vjen të besoj se ajo nuk kërkon që ta kapësh, por vetëm që ta njohësh në kalim. Si një udhëtar që nuk mbetet, por të mëson si të duash rrugën që ai ndoqi.
E kujtoj një mbrëmje të vonë, kur qielli dukej sikur po digjej ngadalë nga një diell i lodhur. Ecja vetëm, pa drejtim. Dhe papritur, më erdhi ndër mend ndjenja, ajo, jo një njeri, por ndjenja vetë. Si një aromë që vjen nga diku, ndoshta nga një kujtim i lashtë. Ishte e ëmbël dhe therëse. Më kujtoi një zë që nuk e kam dëgjuar kurrë, por e njoh.
Dashuria shpesh është një stinë që nuk zgjat. Ajo vjen si pranvera në mes të janarit e papritur, e papërshtatshme, por aq e gjallë sa të trazon gjakun. Dhe ti e di se nuk do të qëndrojë, se rrënjët e saj janë më të brishta se bari në ngricë, por gjithsesi, e pret. E pret, edhe kur e di që është e përkohshme. Sepse më mirë një çast i tillë sesa një jetë pa të.
E kam dashur edhe kur më ka dhimbur. Jo sepse kam qenë e verbër, por sepse dashuria nuk vjen gjithmonë për të ndërtuar ndonjëherë ajo vjen për të rrënuar, për të treguar se sa thellë mund të ndjesh. Si një stuhi që zbraz retë mbi tokë, ajo më ka bërë copash, dhe më ka mësuar si të mbledh veten pjesë-pjesë.
Ajo nuk është e lehtë. Nuk është e butë. Nuk është e drejtë. Por është e vërtetë. Dhe ka një lloj bukurie në të vërtetën, edhe kur ajo të djeg. Dashuria të mëson ta shohësh botën ndryshe jo për atë që është, por për atë që mund të ishte. Të mëson të flasësh me heshtjen, të dëgjosh atë që nuk thuhet, të prekësh pa duar, të kujtosh pa pasur kujtime.
Në fund, dashuria nuk jeton në momentin kur dy duar preken, por në çastin e vakët kur një zemër guxon të hapet. Dhe kur ajo hapet, edhe për një sekondë, bota ndalon. Gjithçka tjetër pushon. Dhe aty, mes asgjësë, kalëron një kalë i bardhë i pastër, i largët, i vetëm.
Ndoshta herën tjetër, do të vrapoj edhe unë përkrah saj.
Comments
Post a Comment