Skip to main content

E dija që ti një ditë do ikje!

Nuk e di pse por ama e dija, e kjo më gjeti të përgatitur. Përherë më thoje, ti e ke edhe mendimin me datë skadence… Dhe unë që qeshja…
E dija tekstualisht se si në momente të caktuara do të reagoje, ndaj nuk më duket cudi largimi yt, përkundrazi, shumë je vonuar! Ka shumë gjëra që doja të t’i thoja pa ikur ti, por kam gjetur formën e duhur që ti të më dëgjosh pa patur nevojë të flas.
Mban mënd si u njohëm?! Unë vdisja të të ngacmoja, ti ishe aq provokues në cdo fjali sa më dukej se nga momenti në moment do të të hidhesha me duart në fyt. Po ende pa mbaruar unë këtë skenar në kokë, ti ma ktheje situatën, aq, me një shikim, e kështu mes grindjesh e të qeshurash, u gjendëm duke folur për pushime të përbashkëta, për faturat në zarf poshtë derës, për drekat familjare, për pagëzimet e dikujt…


Tmerr! Po c’deshëm që ecëm kaq shpejt, ishim mirë kur ishim më pak, cna u desh gjithë ky afrim? Isha më mirë kur mezi prisja një sms tëndin, akoma më mirë kur drekat dhe darkat ishin të shkurtra që i linin kohë ditës tjetër për atë që nuk u tha dje, pa ato fotot vendosur kornizave si një cift perfekt, isha shumë rehat kur më duhej të të jepja një aprovim nëpërmjet telefonit nëse duhet të vishje  kostum blu apo të zi, ishim aq mirë larg sa kjo afërsi na bëri keq!
Mua më bëri keq ardhja jote, të desha ashtu larg, me difektet që rrinin të vogla prej aty ku ishe, tani që t’i njoha nga afër them, edhe të tuat kisha mangut, unë kam vetë plot të tilla! Jam shumë e mirë kur jam e keqe, por bëhem tekanjoze kur jam e mirë!

E di cfarë m’a mban shpirtin gjallë mua? E panjohura, mistikja, ajo që ti nuk më jep, ajo që unë dua të shoh e ti m’a fsheh, kurioziteti im që nuk gjen vënd askund, frika për të të humbur, dëshira për të të thënë të gjitha këto dhe tërheqja pas e tyre në sekonda… Po ti ma hape kutizën e të gjithave! Nuk mbeti më asgjë për të të dëshiruar, asgjë për të të intriguar në qënien tënde, sikur të më jepje më pak do isha ushqyer cdo ditë deri se di se kur… Po ti më ngope…
Më zë e qeshura kur shoh që ke boshatisur murin ku ti vetë kishe ngritur një kënd me foto pafund, të miat e të tuat bashkë e copëza kujtimesh që zor se ti do dish t’i fshish, edhe të kam thënë, e kam formën se si të të bëj të mos më harrosh, t’i më ke marrë me vete…

Unë e dija që ti mbrëmë do ikje, më vjen keq që më more me vete me largimin tënd! Në mur kanë mbetur hijet e kornizave të të gjitha fotove! Tani që jemi prap të huaj, më duket se të njoh shumë mirë. Kur të kthehesh, lëri fotot pas dere, bashkë me gjithë kujtimet e mia, ndryshe do të të bëjnë dëm! Bëhem tekanjoze kur jam e mirë, e kur jam e mirë bëhem shumë e keqe!

Desantila


Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Ne pa ty!

Unë them e bardhë! Ti thua e zezë! Unë them po vij. Ti thua unë po iki! Dhe kështu jeta ime ka gjithmonë ngjyra ndërsa e jotja bardh e zi. Sa më shumë të kërkoj aq më larg shkon ti, dhe kështu ditët e mia mbeten peng i dëshirave, ndërsa ti një njeri që ende nuk di vlerën e një dhurate të shtrenjtë, jetës! Unë them ndjej, ti thua harro. Unë zgjas dorën, ti mbyll grushtin. Dhe kështu hapësira mes nesh bëhet mur, një mur që më mban larg teje, por jo larg ëndrrave të mia. Ti jeton në hije, unë jetoj në dritë, ti zgjedh të ikësh, unë zgjedh të mbetem. Unë shikoj qiellin dhe shpresoj për një moment se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu, ti shikon rrugën dhe ikën nga çdo pritje. Netët e mia janë të mbushura me heshtjen e dritave të vogla të yjeve ndërsa ditët e tua kalojnë pa e kuptuar bukurinë që të rrethon. Ndjej tingujt e shpresës, ti ndjen zhurmën e boshllëkut. Sa më shumë përpiqem të të afroj, aq më shumë largohesh, dhe ndonjëherë mendoj se ndoshta kjo është mënyra jote të jesh, të ...

Një herë e një jetë

Thuhet se diku, në një vend që nuk gjendet në asnjë hartë, ka njerëz që jetojnë ndryshe. Ata nuk ecin me ngut, nuk rendin pas kohës, nuk mbajnë në zemër pesha që nuk janë të tyret. Ata zgjedhin të jetojnë si në përralla, jo për të shpëtuar nga realiteti, por për ta ndriçuar atë nga brenda. Në atë botë, mëngjeset nuk nisin me alarm, por me një rreze që përkëdhel qepallat. Çdo ditë është një faqe e bardhë ku nuk shkruhen detyra, por ngjyra dhe sytë e njerëzve nuk janë për të gjykuar, por për të parë thellë, atje ku fillon drita. Në këtë përrallë që duket si ëndërr apo ëndërr që duket si jetë nuk ka udhë të qarta, por ka një ndjesi që të çon gjithmonë aty ku duhet. Është zëri i butë i zemrës që të thotë “ndalu këtu, këtu je mirë”. Dhe kur ndalesh, gjithçka merr kuptim edhe gjethet që bien kanë histori, edhe erërat që fryjnë mbajnë fjalë që askush nuk i ka thënë ende. Njerëzit atje nuk janë të përkryer, por janë të vërtetë. Ata dinë të qeshin me lot, dhe të qajnë pa turp. E dinë që jeta...