Skip to main content

E dashur e shkuar, të dua!

Ti më ke lënë një varg diamantësh, nga ata të fundit të detit, më ke lënë të gjithë grimcat e lumturisë që të mbushin zemrën! Ti je njeri që njëherë në jetë vjen! Dhe unë nuk jam përpjekur për asnjë moment të të harroj. Je i vetmi kujtim që do t’i rikthehesha ta shfletoj kur jam e lumtur, kur më shpërthen zemra nga emocioni, në adrenalinën më të fortë, pikërisht aty do të doja të të shihja…
Doja t’i jepja vetes edhe njëherë  pamjen e të qënurit e dobët përballë asaj që është e fortë, ndjesisë! Të strukesha syve që e di se do të më bënin të ndihesha si atëherë. Unë doja të isha dhe njëherë dikur, por kësaj rradhë e tashmja nuk m’i lëshonte duart…

Është një luftë e ëmbël ndërmjet asaj që jam dhe dua të jem! Unë isha e lumtur, unë jam e lumtur!
Isha e lumtur në gjithësinë e asaj që ti me zemër dije të jepje. Isha mësuar me të qënurit një njeri veshur me emocione të forta. Ti ishe pjesa ime më e mirë. Ti ishe më i miri i ditëve të mia. Një lëmsh i bukur që nuk do të doja të merrte formë! Ishte bukur ashtu, i veshur me tinguj, me netë pa gjumë, me rrugëtime, me një ngjyrë të fortë ëndrrash! Ti ishe vëndi im i lumtur, ora e pritjes më e padurueshme në botë, cdo dëshirë flinte në jastekun tënd! Përqafimi i gjithë sekreteve të një bote gjente një vend të sigurtë, tek ty! Kujtimi më bën të dobët…


Jam e lumtur, në ditët që njoh prej në zgjim e deri në mbrëmje, lehtë më shpëton një buzëqeshje kur dëgjoj se ka njerëz që ende flasin për ty. Kam mall të pohoj se ende të kam, por se di pse nuk trishtohem kur mbështës duart mbi fytyrë e në heshtje më kaplon një dëshirë të them se më ka mbetur një grep i varur në hapësirën tënde! Një mesazh në shishe hedhur gjetkë, për të lënë në detin tënd një varg fjalësh që në duart e dikujt do të thyhet e të lexohet!
Të kam thënë me qindra herë se sa herë më pyesnin se si e pikturoj lumturinë, me një laps të vizatoja ty përbri! Ti e ke bërë këtë botë më të bukur vetëm duke qënë pjesë e saj. Ti e ke bërë botën time të marrë formën e një njeriu më të mirë… Lumturia e ndryshon njeriun! Ajo nuk është dicka fizike, është vetëm shkëlqimi që merr njeriu në atë shikimin e syve!

E dashur e shkuar!
Të dua fort. Ti më ke dhënë atë histori për të cilën njerëzit do të ulërisnin prej gëzimi: “Të lumtur si ata…” Mua nuk më vjen keq që të kam humbur, nuk më vjen keq që ti mbete aty e unë nuk pata fuqinë të të merrja me vete edhe sot. Ti do të mbetesh gjithmonë “koha e gabuar e njerëzve të duhur.” E shkuar! Do të të dua gjithmonë, më vjen keq që nuk të ushqej dot cdo ditë por dua të dish se ke gjithë forcën time për të të mbajtur aty ku të takon, në një zemër të lumtur si e imja…
E dashur e shkuar, erdha të të shoh, doja t’i jepja vetes edhe njëherë  pamjen e të qënurit e dobët përballë asaj që është e fortë, ndjesisë!

Desantila


Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Të kam dashur shumë

Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi. Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë. Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte ...