Skip to main content

Dua të kthehem dje!

Kam mall të jem një vajzë e vogël si dikur, të zhgarravitem me buzëkuqët e sime mëje, t’ja vesh këpucët e të mërzitem kur ajo nuk më lë të mbaj edhe fustanet e saj.
Kam mall të jem e vogël e të bëj pyetje naive, t’i shtrëngoj dorën tim eti e të pohoj se “ai i di të gjitha”.
Kam mall për veten fëmijë, ku zgjedhja e fustaneve të kukullës bëhej motiv dite, ndërsa sot më duhet t’i jap motiv fustaneve për t’ja veshur ditës…
E urrej faktin se si nuk i besova kurrë të rriturve kur më thoshin se do të më marrë malli për këto ditë e do t’i kujtoj gjithmonë, se sa të thjeshta ishin gjërat e përherë të kishe dikë që kujdesej për ty! Nxitoja të rritesha, të bëja gabime, të pendohesha, nxitoja t’i ikja vetes!

Dua të rikthehem dhe njëherë në bankën e klasës së gjashtë, të përjetoj dhe njëherë të voglat emocione për djalin që të gjitha pëlqenim, të mos më zërë gjumi për një provim të nesërm e të ankohem se “gjithë hallet  e botës” duhet t’i kaloj unë…

Kam mall për veten fëmijë….
Sesi kërkoja vëmëndje me cdo kusht e nuk e pranoja kurrsesi se jam e llastuar! Kam mall të fle herët e të zgjohem për të parë kukullat e preferuara, të luaj jashtë shtëpisë e të kthehem duke qarë se vrava gjurin, të mësoj bicikletën, të provoj pianon, të filloj notin, të gjitha…



Kam mall për vajzën e vogël që kam qënë, ëndrrat e të cilës nuk kishin kufi, që besonte në një botë ku cdo gjë është e mundur, me një zemër plot e të pathyer…
Dua të mbaj të lidhur fort fëmijën e të rriturën brënda meje, dua të mos e humbas veten me kuriozitetin e asaj që isha dikur, të mos heq dorë nga dëshira e fustaneve, të besoj fort se njerëzit që dua janë të përjetshëm, kam mall të jem naive… jemi veshur keqaz me mosbesim!
Kam mall të luaj syllambyllaz,
T’i mbyll sytë për cdo dëshirë që refuzon të më plotësohet.
T’i mbyll e t’i fshihem edhe njëherë lojës së pisët të të rriturve!
Të vrapoj për të gjetur një vend ku e liga smë sheh dot,
Të t’i fitoj të gjitha lojët,
E në fund të më gjesh aty ku nisi!

Unë e rritur, ti syllambyllaz, ende fëmijë…

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Edhe një herë

Ka caste kur njeriu dëshiron vetëm edhe një herë. Jo një jetë tjetër, jo një mrekulli të madhe, por një herë të vetme, një sekondë më shumë, një mundësi të vogël që duket e parëndësishme në dukje, por që për të është gjithcka. Edhe një herë të zgjohesh në mëngjes pa ngut, duke dëgjuar zhurmën e qetë të një dite që ende nuk ka filluar. Ajri i parë që mbush mushkëritë s’është thjesht frymë, por kujtim i gjallë i gjithë asaj që ka humbur dhe i gjithçkaje që ende pret të ndodhë. Edhe një herë të shohë dikë në sy, pa maska, pa fjalë të tepërta, pa frikë se koha do t’ia marrë. Një shikim që nuk ka nevojë për shpjegime, sepse kuptohet në heshtje. Edhe një herë të ndjejë aromën e kafes së freskët, ose erën e shiut në rrugët bosh. Këto gjëra të vogla, që në ngut e lodhje harrohen, janë ato që kthehen në pasuri të pamatshme kur njeriu kupton se koha nuk i jep pafund. Edhe një herë të qeshë me shpirt, ashtu sic qeshin fëmijët, pa menduar për çfarë do të thotë bota, pa ndjerë peshën e barr...

Babait të ardhshëm të vajzës që dua të kem!

Të lutem, duaje. Kur të kthehem pas vizitës time të parë nga gjinekologu pasi të më ketë thënë se është vajzë, të lutem gëzohu. Nëse ka ndonjë këshillë që do të ta jepja edhe në emër të tim eti, është: gëzohu pamasë se të jesh i sigurtë do jesh pika e saj e dobët. Kur të jemi në dhomën e spitalit dhe doktori të ta japë ta mbash në krahët e tua për herë të parë, të lutem premtoi se do ta duash më shumë se unë, kjo është shpërblimi që meriton t’ja thuash pas 9 muajve që une do t’a kem mbajtur. Ajo nuk do jetë gjithmonë e vogël, kështu që jam e sigurtë që kur të rritet do t’a kujtojë mirë puthjen në dorë prej princeshe që ti do t’a bësh ritual. Kur ajo të vijë në shtëpi nga shkolla e të bërtasë se shoqja e saj e ka sharë për modelin e ri të flokëve, edhe pse mund të të duket një muhabet gocash, më beso se pasi t’i kesh thënë se ajo duket shumë e bukur, një detaj i tillë do t’a bëje atë të mbështetet fort tek ty duke e veshur me vetëbesim. Bëji një natë palacinkat e saj m...