Skip to main content

Sa kushton?!


…fytyra e plakut u vrenjt! Në rrudha i dalloja hezitimin për të më dhënë një përgjigje. Mblodhi dhe buzët…unë kisha ngelur me ngarkesën ndër duar dhe mezi prisja të fliste.


-          Po sa të duash ti.
-          Si?! Më fal nuk ka një cmim të caktuar, se më vjen keq…
-          Cmim?! A ka cmim shpirti o bijë… nuk ka, kështu që më lër sa të duash.

Njollat në pardesynë time mund t’i shihje me sy të lirë, pa u vënë aspak në siklet madje që isha në mes të rrugës e mund të ndjeja sytë gjykues të ndonjërës që mbi kokë i fliste një re: “je bërë pis, goce…”

I ula të gjitha përtokë, largova dhe flokët nga fytyra, që po të më filmonte ndokush, do t’i dukej sikur po xhiroja ndonjë skenë rrugëve të Parisit, shkujdesur me libra ndër duar, me syzet që putheshin me të dredhurën e flokëve, përkuljen time që më nxirrte në pah më tepër se c’duhej, dhe padiskutim 30 sy që po më vështronin. Domosdo, kush mund të dalë që në pikë të mëngjesit në majë të takës 12 cm në pllakat e shkulura të Myslym Shyrit që herë herë më vendosin në pozitën: të shkel apo jo? Se ka surpriza në cdo hap. Sigurisht nuk i shpëtova dhe unë spërkatjes së tyre… patjetër që kam sharë në ato momente, po ja ashtu në fjalor të moderuar, e sigurtë që rreth e qark njerëzit kanë shqyer sytë!

Një shpirt! Sa vlen?
Ky ishte “turbullimi” im i mëngjesit, rrjedhimisht të shpjeguara edhe të gjitha oshilacionet e mësipërme.
E kam vlerësuar shpirtin me peshë dhe realisht mendoj qe jam mbi-peshë… po po, e keq-ushqej, se kështu justifikohet “obeziteti”. Me vitet e kam ushqyer me aq shumë gjëra saqë realisht mendoj ndonjëherë ta vendos në regjim të fortë.
T’i heq ato kilogramët që nuk e lënë të ngjisë shkallët pa marrë frymë lirshëm, ato pak centimetra që nuk e lënë ta veshë zemrën në formën e saj të vertëtë por e deformon, t’i  edukoj një recetë të mirë që të zgjasë efektin e saj në kohë…

Po shpirti im është njeri i padukshëm për syrin e asaj vajzës, edhe atij djalit që më vështron ngultas, edhe ty! Ndërkaq për mua është esencial. E kam të mbushur në cdo cep me të përditshem e me gjëra që procesi im i mendimit i filtron menjëherë si të nevojshme. Dua apo nuk dua unë, etaloni matës i shpirtit është sa fuqi ka të ndjejë, dhe e sigurtë që i imi vuan nga tensioni i lartë…me rrahje të shpeshta! A konsiderohet shpirt i sëmurë i imi?! Pika që s’më bie, dëndem cdo ditë me ilace e akoma nuk gjej se nga më vjen dhimbja. Shkoj e dëmtoj atë pjesë që më zë pjesën më të madhe të “organeve” në trup. Unë e luftoj me anti-jetë, ajo prap është 7-shpirtëroshe. Xhan i imi, po unë ngaqë nuk ta di cmimin e të torturoj si të të kem lodër.
Po unë të di mjaft mirë vlerën, shpirt!


Desantila

Comments

Popular posts from this blog

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Babait të ardhshëm të vajzës që dua të kem!

Të lutem, duaje. Kur të kthehem pas vizitës time të parë nga gjinekologu pasi të më ketë thënë se është vajzë, të lutem gëzohu. Nëse ka ndonjë këshillë që do të ta jepja edhe në emër të tim eti, është: gëzohu pamasë se të jesh i sigurtë do jesh pika e saj e dobët. Kur të jemi në dhomën e spitalit dhe doktori të ta japë ta mbash në krahët e tua për herë të parë, të lutem premtoi se do ta duash më shumë se unë, kjo është shpërblimi që meriton t’ja thuash pas 9 muajve që une do t’a kem mbajtur. Ajo nuk do jetë gjithmonë e vogël, kështu që jam e sigurtë që kur të rritet do t’a kujtojë mirë puthjen në dorë prej princeshe që ti do t’a bësh ritual. Kur ajo të vijë në shtëpi nga shkolla e të bërtasë se shoqja e saj e ka sharë për modelin e ri të flokëve, edhe pse mund të të duket një muhabet gocash, më beso se pasi t’i kesh thënë se ajo duket shumë e bukur, një detaj i tillë do t’a bëje atë të mbështetet fort tek ty duke e veshur me vetëbesim. Bëji një natë palacinkat e saj m...

Edhe një herë

Ka caste kur njeriu dëshiron vetëm edhe një herë. Jo një jetë tjetër, jo një mrekulli të madhe, por një herë të vetme, një sekondë më shumë, një mundësi të vogël që duket e parëndësishme në dukje, por që për të është gjithcka. Edhe një herë të zgjohesh në mëngjes pa ngut, duke dëgjuar zhurmën e qetë të një dite që ende nuk ka filluar. Ajri i parë që mbush mushkëritë s’është thjesht frymë, por kujtim i gjallë i gjithë asaj që ka humbur dhe i gjithçkaje që ende pret të ndodhë. Edhe një herë të shohë dikë në sy, pa maska, pa fjalë të tepërta, pa frikë se koha do t’ia marrë. Një shikim që nuk ka nevojë për shpjegime, sepse kuptohet në heshtje. Edhe një herë të ndjejë aromën e kafes së freskët, ose erën e shiut në rrugët bosh. Këto gjëra të vogla, që në ngut e lodhje harrohen, janë ato që kthehen në pasuri të pamatshme kur njeriu kupton se koha nuk i jep pafund. Edhe një herë të qeshë me shpirt, ashtu sic qeshin fëmijët, pa menduar për çfarë do të thotë bota, pa ndjerë peshën e barr...