Skip to main content

Jam shpërngulur!


Mora gjithëcfarë kisha me vete dhe u strehova këtu, në mëndjen tënde. Sepse më kërkove vetë. Erdha të bindem se po merr atë që meriton. Ti e di që unë vdes të gjykoj, pavarësisht se nuk t’a them në publik, unë vdes të të marr shpirtin me kritika ty, sidomos tani që paska një mysafire të re në mëndjen tënde.
Paska zënë pluhur vëndi, dhe unë nuk jam shquar ndonjëherë për punëtore të madhe kur vjen momenti për të qënë “zonjë shtëpie” në ndotje të dukshme! Edhe kësaj rradhe mos mendo se do jetë ndryshe, këtu te ty qënka nami…
Në mundet thuaj kësaj të “re-së” të pastrojë. E pse jo?! Ke hall se lodhet? Ah, ke frikë se më heq mua… pa merak, në cdo rrugë kam lënë nga një shënim, madje kam lënë dhe në ajër, e gjej domosdo zinxhirin që pa të cilin ti nuk mundesh dot. C’ke ti, nuk të lë vetëm unë ty, në copëtimin tënd dita –ditës, do jem aty!


Qëndroj në cepin e kolltukut të mëndjes tënde, ca mashtruesi i lezetshëm që je, t’a kam njohur mirë këtë pjesë por të kam lënë të shijosh deri në fund skemën tënde, nuk paska gjë më të këndshme sesa momenti kur ti rrotullohesh si një qen për të kapur bishtin tënd!

Ka disa njerëz në jetë që vështirë ti përcaktosh se cfarë përbëjnë në thelb, ka disa njerëz si ti që për syrin tim janë lehtësisht të lexueshëm. Unë e di mirë vëndin tim, pavarësisht se zgjodha të vij sot pa lajmëruar, pavarësisht se ti më ke thënë që unë fle përherë në kornizën e të ardhmes tënde, përtej cdo refuzimi timin, më ke deklaruar se më ke burgosur me dy dënime të përjetshme, në këtë jetë e në atë tjetrën. Më ke veshur me mënyrën që do ti  të më shohësh, më ke adhuruar në formën më të lartë duke më thënë se në cdo botë do më zgjidhje prap mua! Në cdo jetë do më doje prap, pa më njohur ende, pasi të kem ikur unë, ti më je zotuar se përjetë të përkas.


Ndërkohë tundem sa jam në këmbë, si spektatore entuziaste kur ti rrokullis një gotë wiskey dhe avullon mashtrime në cdo fjalë që i thua asaj.  Bravo!
Një duartrokitje ty !
Që mua nuk më zhvesh dot nga karakteri, por nga edukata.
Ty që më krahason me të pakapshmen, prej shpirti.
Ty që më ke frikë edhe në një shikim!
Ty që adhuron e më sheh në cdo sy-mprehtë femre që ja blen shikimin!
Ty, shpirt-bosh, duar-plot e  zemër-vrarë, ty që nuk të duan, ty që jeta të ka rrahur me cdo shuplakë e ti prap je në këmbë.

Ty që dua të kundërtën tënde, mos bërtit më për vëmëndje. Kjo “viktima” që shoh sot përballë teje, është e “rrahur” po aq sa ti, lëkunde me varkën e asaj që ti mendon se je, më beso, është “pre-ja” më e mirë që shtrohet si rrogozë nën këmbët e tua…
Unë po iki, erdha për të të aprovuar atë që meriton.

(hapshuuu-shëndet, fjalë e vërtetë, sa pluhura ka këtu!)


Desantila

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë do të vij…

Do të vij kur të jetë koha, do të vij kur koha të jetë gati për ty. Do të vij atëherë kur të gjitha yjësitë të jenë në vendin e duhur dhe dielli të jetë në anën tënde. Do të vij kur ti të mos numërosh rrahjet e zemrës si një kërcënim për minutat që të ikin, por të jesh i ulur në bregun e ndërgjegjës se jeta është e bukur edhe pa njësi matëse. Do të vij kur të jetë paqe se stuhitë i kam njohur dhe i mbaj brenda vetes kur të më duhet të ujis shpirtin e të cel përsëri. Unë do të vij kur ti të mos mbash mëri vetes për atë që nuk ishe dot, do të vij pikërisht për të të mësuar se jeta ndodh edhe kështu, përballë një pasqyre që paturpësisht të tregon atë që ti refuzon të shohësh, veten! Unë do të vij kur zemra mos të të peshojë më zemërim… Unë jam festa më e bukur e vetes, unë do të vij kur ti të jesh gati për një natë të gjatë plot drita e shkëlqim, do të vij kur ora ime të jetë magjike, kur gjithë duartrokitjet të jenë kthyer për një spektakël ku pritja të marrë fund me një këng...

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...