Skip to main content

“Kam kënduar jetën time me gërmat e tij…

...por në hapësirat mospërfillëse të zemrës, gjeta këndin për të vallëzuar sërisht!”

Jemi shumë të gatshëm të kritikojmë kur përballemi me “dështime” të të tjerëve. Me krenari drejtojmë menjëherë fjalinë si akuzë : “Të kisha thënë”, “E dija…Po ti nuk dëgjoje”.

Nëqoftëse ka dicka që bën pjesë në gjërat që unë me besnikëri nuk do ta tradhëtoja kurrë, janë darkat e ngrohta me verë,ushqim të mirë, me ëmbëlsirat që tundojnë që në aromë, me shoqet e zemrës. Janë terapia e shpirtit…

Isha mbledhur struk në kolltukun e kashmirit e po prisja që ajo të ulej nga ecejaket që bënte prej guzhinës në sallon. Verë të bardhë, luleshtrydhe, kanellë dhe shumë dashuri brënda një sekondi…

“Erdha, mos u mërzit…”
“Hajde ulu se më more mëndt, se di a e kam nga vera apo nga ato që dëgjova sot…”
“Pse mi, ca ka ndodhur?”

Si në përhumbje i tregoj historinë e një cifti që ne të dyja e njohim shumë mirë. Formulë standarte: Cift i lidhur prej 500 vjetësh, që atëherë kur nuk e dinin se cdo të thotë të jesh në një marrëdhenie të mirëfilltë duke marrë përgjegjësinë e “Tani-jemi-dy”! Por, u rritën bashkë, duke u rritur me ne. 
I shquanim lehtësisht kudo. Ishin aq të këndshëm bashkë, saqë vështirë t'i dallonim mes njerëzve të tjerë po të qëndronin vetëm, kishin një kimi të pashpjegueshme dhe "imponoheshin" aq bukur tek shoqëria në atë sferën që kishin krijuar mes njëri-tjetrit.
Pas kaq shumë vitesh, ai e kish tradhëtuar dhe si një zotni i vërtetë i kishte thënë se ndihet sikur bën pjesë në një marrëdhënie të konsumuar dhe nuk e sheh të shëndetshme për jetën e tij ta vazhdojë më tej… (Ta lumsha unë ty.)

-          Uaaa, joooo s’ka mundësi, jooo! Ai moj?! Uaaa… Po ajo?!  (Se ajo e shkreta i kish varur të gjitha shpresat e jetës tek ky tipi, se të paktën kështu e shihja unë, se kudo ishte emri i tij, madje dhe kur dilnim me të më dukej sikur kjo vinte bashkë me të me vete, bukën!)
-          Ajo… Ajo ishte bërë gjysëm njeriu. Inat i kam këto femra që reagimin e kanë të tillë POR ama do ti përkrah sa të kem jetë. Më erdhi aq keq sa nuk e ke idenë, sido që të ketë qënë zgjidhja apo zgjedhja, m’u dhembs ajo qënie. E ftova të dilte me ne të shtunën…

Asaj e kujtdo,
Kam takuar një zonjë rreth të 60-ave, punonjëse e United Nations në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila më ka dhënë një mësim që e "mbaj" gjithmonë me vete!
"Në jetë je gjithmonë vetëm dhe cdo ditë llogarite jetën tënde vetëm, në një marrëdhënie konsiderohu single (në kuptimin figurativ, gjej kohë të përmirësosh veten, merru me sport, ji krenare që ke ekonominë tëndë, je më e fortë kur je vetëm), në familje bëhu krah i vetëm (asnjëherë nuk dihet se cfarë ka planifikuar jeta për ne, përgatitu të jesh e fortë dhe vetëm), në punë llogarit cdo gjë vetëm (bashkëpuno por mos beso shumë), sepse në këtë jetë ke ardhur VETËM dhe vetëm do të shkosh".
Kam lexuar aq shumë e po aq kam dëgjuar dhe me forcën më të madhe do të të them TY, TY edhe TY:

“ Nuk mund të evitoj dhimbjen tënde kur ndonjë histori  të thyen zemrën por mund të qaj me ty e ti mbledh copëzat për ti rivendosur përsëri. Nuk jam ndonjë gjë e madhe por, jam gjithçka që mund të jem.”

 

DESANTILA

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...