Skip to main content

Meritoj botën, atë tënden në duart e mia!


Sa shpesh biem...Biem në gabime të tjera, në lot të rinj, në ëndrra të tjera që si ato tonat do të thyhen! Në biem! Biem nga pesha që na mban në këmbë, shkëpusim fijen e fundit të litarit lidhur në breg… na bie shpirti copash… e copat perpiqemi ti mbledhim me shpirt!
Kam zvarritur sa e sa hapa për të mos lënë gishtërinjtë të më shkëputeshin nga duart e tua, por nuk munda më, rashë!

Dje më mbeti një fjali bosh! Zgjata dorën për të prekur mbi tavolinë, por vetëm xham të akullt ndjeva, tërhoqa një tavull, të shkundja kujtimet e fundit!
Më ngarkohet emocioni aq shumë sa në cdo moment ndjej se jam e dehur… një alkool të fortë, trullosës, dehës, ndjellës. Tërheq një shishe për një gllënkë të fundit, shtrëngoj sytë e kapërdij duke lënë cepave të buzës të derdhet shija jote! Ende nuk kam hequr këmishën e natës e ndërsa ndez një cigare, shpërndaj sytë nën mjegullën përtej dritares. Më kujtohet kur thashë se për një si unë, kombinimi fatal është aroma e parfumit tënd, një cigare dhe pak alkool! Ka një ajër sikur ti je aty. Zgjedh të bëj një dush të nxehtë, duke lënë të bien të gjitha pikat e të shpërndahen. Pasyqra merr avull, gishtërinjtë më formojnë vetvetiu një zemër. Edhe ajo bie, shkrihet!




Ti ma le dashurinë pa cati. Me dhomat bosh unë kam ndërtuar një shtëpi. E kam mbushur me të gjitha copëzat që mbetën ashtu… të shkreta… të ftohta…

Unë meritoj dikë që nuk më bën të qaj, e nëse më lëndon të qëndrojë me mua deri në lotin e fundit derisa të më rikthehet e qeshura…meritoj dikë që kërkon ndjesë prej shpirti…dikë që më rikthen lumturinë pas një trishtimi!
Dikë që e di se të dy vijmë me valixhe nga e shkuara, por do t’i hapim ngadalë ngadalë bashkë, për t’i lënë në ato vënde që asnjërin nuk do të bëjë të marrë rrugën e të ikë… Meritoj dikë që të më bëjë një njeri më të mirë, që nxit tek unë qelizat e fshehura të shkëlqimit tim, që më shtyn të kapërcej frikat e mia më të mëdha!

Meritoj dikë, që të ma bëjë lëkurën të shpërthejë fishekzjarre ngjyrash sapo të më prekë, që në mesin e një dhome plot me njerëz, të dallojë shkëlqimin e syve të mi sapo ta shoh…meritoj dikë që të më dojë aq fort sa dua unë, dikë që të më dojë për të gjitha arsyet e botës.

Meritoj botën, atë tënden në duart e mia!

Desantila


Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...