Skip to main content

E shes vetminë!



Mbrëmë nuk dola, mora pak cokollatë të zezë e një gotë për të pirë dicka, dhe nuk pata asnjë hezitim për të rishikuar filmin “Sweet November”.

Më turbullojnë ambjentet me shumë popullsi në këtë periudhë dhe shtegu më i mirë për t’u ndjerë e qetë, është të shijoj pushimin vetëm, ngrohtë, me gjëra të vogla, që se si e gjejnë rrugën drejt e në shpirt, as unë nuk e di.

Ka filma të tillë si Nëntori i ëmbël që mua më tërheqin prej shallit lidhur në qafë, direkt e në mishërimin e një skenë si të jem protagonistja kryesore. Një botë brënda botës është mënyra se si secili zgjedh të shohë vetë jetën e tij. Është dehja e lehtë që kërkon mëndja midis, të ëmblës së cokollatës e të hidhurës së alkolit, me një puhizë të lehtë të parfumit të dimrit që e ndjej sa herë qiriu i verdhë ndezur përballë, bën ecejake të flakës së vet.

Kur rrëmbimthi ktheva një gllënkë, më erdhi një sms ku shtrohej pyetja:
-          Mbaron më shpejt gota e alkolit apo filmi?
-          Alkoli, që të më japë kohën për të shijuar filmin, se nëse ndodh e kundërta, nuk do tja lejoja vetes t’i gëlltisja mëndt e mia me dorën e djathtë...
Unë nuk doja të isha vetëm, unë doja të më linin vetëm. Kam qënë edhe me njerëz, ka ndodhur të jem ndjerë vetëm...

Lumturia është një proces vetjak, që nuk ka nevojë për motorrin e dikujt tjetër për të të vënë ty në lëvizje, janë grimcat e vogla që nëse e ngushtojmë shikimin në fokus të tyre, ato bëhen aq forta në influencën që kanë për të të ndryshuar humorin. Një dush të ngrohtë, një film, një muzikë që të kujton dikë të dashur, që ndoshta nuk do doje ta kisha mbrapsht, po se si për dreq, e zhvesh nga fajet dhe e ndjen të afërt në atë momënt, një llogari e muajve të kaluar që të duket sikur ka ndodhur dje...një hark kohor i shkurtër për mbështetje të qetë të ndërgjegjes në jastëk.
Bashkë me të gjithë ata që dua, ndihem e plotësuar, me vishet zemra me pellush, por kur marr gotën time, e kaloj në cep të shikueses së veprimeve të të gjithëve, cfarë kam bërë për veten sot?
Më ka ndodhur që në atë moment kam shtruar edhe pikëpyetje të tjera: Pse e bëra këtë foto? Që të mundem ta rikujtoj sa herë ta shoh apo që të tjerët të shohin se si e kaloj unë kohën time?...
Pastaj rikthehem në zhurmë...plotësisht e gatshme për t'u angazhuar me të tjerët me më shumë energji dhe kënaqësi.

Thonë se është tipike e shenjës së gaforres, që pasi del nga guacka e saj, nga shëtitjet kurioze të bëra me kujdes, në territor të njohur, duke lënë gjurmë të vogla që kur të rikthehet tek guacka e saj në breg, të kundrojë sesi një valë dallge, i heq shenjat e rrugës që ka bërë në kthim.

Ndoshta ngaqë unë i kam mirëpritur të dyja gjëndjet e vetes - intensivisht e shoqërueshme, në heshtje e vetmuar - pikërisht për shkak se ka një ekuilibër mes tyre kam ditur se si t'i ndërtoj poshtë një catie për t’i dhënë hapësirën që të bashkëjetojnë krah për krah. E qeshura prej shpirti, në bisedë mes miqsh, është e bukur. Por, e tillë është edhe ajo kënga që zgjodhe ta dëgjosh në kufje... të kujton dikë të dashur, që ndoshta nuk do doje ta kisha mbrapsht, po se si për dreq, e zhvesh nga fajet dhe e ndjen të afërt në atë moment!  

Unë e kam të artë vetminë, e shes shumë shtrenjtë, po po e shes, por a ma blen dot ti? Më blen dot mua bashkë me vetminë time?! 


Desantila

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Dashuria të ngrihet në këmbë!

Po venitet dashuria. Jo ajo që përmendet në vargje të zhurmshme, por ajo që merr frymë mes njerëzve, që dridhet në heshtje kur sheh dikë të lënduar, që rri e përulur në qoshe shpirtrash të ndrojtur. Ajo dashuri e thjeshtë, e ndjerë, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, po tretet si një aromë e vjetër që askush nuk e ndien më. Po shndërrohet në kujtim, në një ndjesi që njerëzit përmendin me mall, por nuk e përjetojnë më. Njerëzit janë bërë të ngurtë, sikur cdo ndjenjë t’i rëndojë. Flasin për dashurinë, por pak kush e njeh. Shumë duan të duken të dashuruar, pak duan vërtet. Zemrat janë kthyer në mjegull, të lodhura nga pritjet, nga zhgënjimet, nga mungesa e butësisë. Dhe kështu dita-ditës ndjeshmëria zbehet ndërsa shpirtrat mbeten bosh, si shtëpi pa dritë. Njerëzit nuk besojnë më në përqafime të sinqerta, sepse janë mësuar me duar që prekin, por nuk ndiejnë. Nuk besojnë më në fjalë, sepse janë lodhur nga ato që tingëllojnë bukur, por peshojnë pak. E kemi harruar gjuhën e syve, përkëd...

Të kam dashur shumë

Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi. Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë. Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte ...