Skip to main content

Ti më peshon në shpirt!

Më kujtohet edhe dita kur një pjesëz të vetes e lashë tek ty, më kujtohet se si zgjodha pikërisht zemrën, që u mishërua aty. Më kujtohet edhe momenti kur ti zgjodhe kasafortën e gjërave të tua për ti besuar të shtrenjtat ndjesi në nji, më kujtohet edhe dita më e zakonshme e jetës që mbante vetëm një emërues të përbashkët, unë edhe ti.

Nëse asnjëri nga ne, nuk e ka larguar tjetrin nga jeta dhe nuk u bëmë kurrë si cdokush tjetër por mbetëm të përveçëm, atëherë më thuaj, pse peshojmë në shpirt kaq shumë?

Ndërmjet gjithë mendimeve pa asnjë dhimbje lënë peng, e shkuara ngjan si e tashme e sjellë në tryezë. Ti me bindjen se ëndrrat zhbëhen edhe me një kafshatë, unë me refuzimin për to, ulur në heshtje, me të tashmen përbri.

Nuk u përpoqa asnjëherë ta mësoj veten pa ty, por nuk mësova dot se si është të harrosh dikë, të harrosh dikë që të peshon në shpirt. Nuk u mësova dot as kur ti përgjigjeshe me heshtje, nuk e mësova asnjëherë se cdo të thotë fjala: kurrë më!

Po edhe sa kohë na duhet që të shtrëngohemi në një përqafim që nuk zgjat sa një fragment sekondi, kur bie shi dhe është një ditë e rëndomtë, për të provuar shije tjetër të një jete pa zemërthyerje. I marr të gjitha fajet mbi shpinë si mësime të miat për të dashur këtë jetë me ty!

Edhe sa kohë duhet ta lëmë të shkojë përpara se të jetë vonë?

I marr me vete fajet, i pranoj, sepse sot refuzoj të jetoj të shkuarën dhe i jam përqafuar vetes dhe ty në të tashmen, pa dashur të fshij asnjë kujtim, pa dashur të jetoj asnjë ditë më shumë me peshën se ëndrrat zhbëhen! Unë dua të qëndroj, sepse nuk kam mësuar të braktis. Unë dua të të jetoj sepse nuk u përpoqa ta mësoj veten pa ty, sot është ndryshe, nuk dua që jashtë të bejë verë e në shpirt të jetë dimër, unë nuk di ta fshi të shkuarën e as nuk mësohem dot pa të, sepse prej saj mora më të mirën, të mora ty me vete në çdo stinë dhe asgjë nuk mu duk e pamundur.

Nëse asnjëri nga ne, nuk e ka larguar tjetrin nga jeta dhe nuk u bëmë kurrë si cdokush tjetër por mbetëm të përveçëm, duke peshuar kaq fort në shpirt, pse nuk ulemi në tryezë me të tashmen përbri?

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...