Skip to main content

Ne kemi nevojë për njëri -tjetrin!

Unë dua ta jetoj prap veten si dikur, kur të jetoja ty, si një ëndërr e përbashkët, si një histori e pashkruar më parë, si lot gëzimi për ditën me diell, unë dua të të jetoj ty ndryshe, përtej asaj që mbeti. Dua të të jetoj ngjyrat, emocionin, grisjet e zemrës dhe plagët e saj, për ti mbushur hapësirat e historisë me një pritje të re, të duarve për një përqafim, të një dite të re me fjalët që pëshpërisnim dikur: a e mban mënd?

A e mban mënd çfarë ngjyrash kishte nata?

E mban mend shpërthimin e zemrës? Fjalët, dëshirat, muzikën?

Unë i mbaj gjallë ato emocione, gëzoj kur shoh lule të reja që çelin, kur jashtë bën diell, kur të përqafoj, kur pi, gëzoj për veten, për ty. Jeta ndryshon, jeta ecën kaq shpejt ndonjëherë… Asgjë nuk dhemb ose nuk thumbon më keq sesa pendimi gjërat që nuk duhet të kishim bërë ose për gjërat që duhej të kishim bërë, por nuk i bëmë. Ndaj unë i jam përqafuar e zhveshur nga dogmat kësaj jete. E kam dashur që kur fillova ta konceptoja, e dua sot, e dua tani. Unë dua të jetoj atë që nuk njoha, kontinentin tënd, festën pa një datë, dëshirën për të vizatuar ëndrra, për të mos njohur kufinjtë se ku mbaroj unë e ku fillon ti.

Unë nuk dua ta gjej dashurinë diku tjetër, e dua këtu, në atë deshifrimin që ti i bën heshtjes time, në shtëpinë që i dhashë zemrës dhe nuk e kërkova kurrë një celës për të mbyllur dyert e saj sepse ti më le të isha e fortë për të provuar, për të jetuar, për të harruar, për të treguar, a dashuron dot më? Ke fuqi të duash?

Ne kemi nevojë për të qenë një me njëri -tjetrin në heshtjen e kujtimeve të pashprehura! Ne kemi nevojë për njëri -tjetrin, jo për të mbushur zbrazëtinë tonë, por  për të ndihmuar njëri -tjetrin të njohim plotësinë tonë.

Unë dua ta jetoj prap veten si dikur, kur të jetoja ty!

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...