Skip to main content

Po të isha ti, do ikja nga unë!


Unë skam fuqi të të dua, se nuk dua, jo se nuk di!
Nuk kam forcë të jem sa ti, se nuk mundem, se do të bëja të njëjtat gabime përsëri!

Në atë grusht ore të mbledhur për ty, do gjeja shtegun e parë të arratisesha përtej vetes, duke vrapuar të përplas dyert fort e të mos kthej kryet as në trokitjen tënde!
Sa të shtrenjtë e kam lumturinë time pasi njoha hidhërimin e të tjerëve.
Në thesin tim kam mbyllur një shpirt të madh, edhe zemrën e kam mbështjellë mirë, brënda vetes nuk kam ngritur mure, kam vendosur kufinj. Po të isha ti, do ikja nga unë…

Nuk dua të dua përsëri, kam frikë se dikush do më vjedhë prap mendimin, e kjo më largon me botën. Ma kthen të prekshmen në venitje të ngadaltë. Kam frikë ta rrezikoj dhe njëherë zemrën në kafaze dyer mbyllur, ku sytë do shihnin vetëm drejt teje. Është shumë e madhe bota për ta mbajtur lumturinë të vogël.

Kam frikë se do të të lë vetëm!
Kam frikë se do të të lëndoj!
Do të të them se nuk ndjej asgjë e në boshllëkun që do të lë midis nesh, ai sekond, ty do të ta ndrydhe shpirtin, si helm gulcuar në stomak do të të vijnë fjalët e mia.

Nuk dua të ndihem e sigurtë kur ti të jesh  perreth, nuk dua të jap ty, atë që është e ndërtuar prej dështimeve, nuk dua të më duash! Po të isha ti, do ikja nga unë…
Sepse unë nuk mbaj mënd fytyra, unë njoh zemra. Sepse unë nuk kam frikë nga fjala që jap, po i druhem tmerr asaj që nuk mbajnë! Sepse vetes, ja di të gjitha, ndaj them se streha më e mirë, është të jem larg!
Nuk dua që ti ta ndjesh, se po më humbet, as lëndimin e pa-formë që do të vuash! Unë nuk dua të më duash, derisa unë të kem gjetur dhe njëherë rrugën e kthimit për tek ti! Dhe më beso, unë do të të gjej!

...do të të gjej kur në fillim të kem tretur gjithë cka mbetur prej dikur!

Kur të jem zhveshur prej frikës se ti më bën dëm, e të jem zgjuar atë mëngjes duke i hapur kanatet e jeshilta, fluturave që i mbaj peng në shpirt!

Comments

Popular posts from this blog

Vetes time të ardhshme!

Ka kohë që jam ulur këtu, në këtë stacion anonim të një kohe që nuk ka emër, në këtë cep të papërcaktuar të botës ku çdo gjë pret, por asgjë nuk nxiton. Jam ulur në një stol të drunjtë, me një çantë të mbushur me ëndrra të pashkruara, me fjalë të pathëna e premtime që vetëm vetes ia kam bërë. Unë jam në pritje. Në pritje të vetes time të ardhshme.   Ti je ajo që nuk kam qenë ende, por që e ndjej që jeton diku, si një qytet i humbur në hartën time personale. Ndoshta je një siluetë që endet mes mjegullës së mëngjeseve, ose je një dritë që fiket e ndizet në horizontin tim mendor. Nuk e di saktësisht kur do të vish, por e di që jam këtu. Dhe kjo është pritja ime. Ora këtu s’ka akrepa, ditët këtu nuk kanë emra. Është një vend ku koha është e sheshtë, e heshtur, gati si një kanavacë e bardhë ku ti duhet të shkruash për mua, me dorën time. Pritja ka marrë trajtën e një profesioni të heshtur. Është një vokacion pa pagesë, një zanat që s’ka mësues, vetëm nxënës. Çdo ditë, pa u ankuar bëj ...

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

Unë e bërtas veten!

Kam mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur. Por më shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë, kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja. Kam mësuar që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin p...