Ndërkohë që koha ndizet e dielli nuk ta përton aspak, gjej rrugën e pashkelur ndonjëherë për të shkuar diku... A bën të mos më shkruash për ca ditë? Po iki me ndërgjegje... Lërmë ca ditë me detin! Ti ma njeh guackën e gaforres... Më pëlqen të dal prej saj e sapo kthehem i mbyll kapakët e marr formën time prap! Ti më thua mirëmëngjes, unë të kthehem me një mirupafshim! Ndjej se është koha ime…Mos më kërko për ca ditë, vera është më e bukur vetëm, madje ma ka qejfi që edhe ti të shkosh diku, po po, s'mund të bëhemi bashkë unë dhe koktejli për ty, jemi kimi e dëmshme! Unë po njëherë...Më lër të zgjohem vetëm, të dielën në mëngjes, me flokët shpurpuritur e dallgët që më gudulisin majat e gishtave! Ora 9! Paqja e bojëqielltë ma lyen shpirtin me qetësi. E dua verën vetëm!E dua verën pa ty! Si mund të burgoset një shpirt-lirë për aq kohë sa ekzistojnë stinët si kjo?! Në sfond lehtë ndjej një këngë, mbështes kryet në shezllon, mbuloj sytë dhe iki jashtë trupit tim në fluturim......