Duhet të të kisha thënë shumë gjëra para se të largohesha me
një lamtumirë! Kur të kisha përballë për herë të fundit, e vendosur për të
mbyllur një libër historie, kur me gjakftohtësi të të thoja kaq ishte, mbaroi,
në atë hezitimin tënd për të folur, duhej të të kisha thënë se të kam dashur,
se nuk të hedh poshtë asnjë ditë, se ti ishe një njeri i mrekullueshëm, edhe unë
isha…
Duhej të të thoja mos më lër të të lë unë, qëndro, rezisto,
më mbaj…
Duhej të të thoja më përqafo si dikur, ndoshta do më zbutej
zemra…
Ku i kishe fshehur gjithë fjalët që duhej të m'i përplasje
fytyrës?
Të më thoje qëndro, ashtu sic qëndrova unë me ty, kur askush
nuk ishte, kur të mohoja qënien tënde me mospërfillje e të thoja shko… të më përplasje
fytyrës gjithë dëshirat e tua, mënyrën se si më bërë të të dua, formën që i dhe
ditëve të mia, të ulërisje me forcë se unë dikur të kam thënë se pa ty nuk
mundem, kurse sot jam ajo që dua të të zhvesh përgjithmonë nga ajo jetë që e
quaj vetëm timen, atë që dikur e ndaja me ty … të më thoje se mund të rinisë
gjithcka me një buzëqeshje, një nga ato të miat, që dikur të dedikohej ty!
Me butësinë që më bërë për vete, kur lëshoja arrogancë në
cdo fjalë, kur nuk doja të doja askënd përvec vetes, aty ku u riktheva si
dikur, t’i bëje të gjitha nga fillimi…
Duhej të ma thoje i pari se po gaboja, duhet të më thoje se
po nxitohesha, të më kapje prej duarsh e të ngulje këmbë të shihja në sy, të
thoje prap: je kaq kokfortë!
Tani që i mendoj të gjitha, pas kaq shumë kohësh, dua të të
them se të bëj fajtor që më le të shkoja, prej teje mora shumë…
Prej gabimeve të mia, mësova se nuk kam ndeshur kurrë asnjë njeri në botë që të
mos jetë bërë një njeri më i mirë nëpërmjet dashurisë, se gabimet dhe dështimët të
bëjnë të ngrihesh fort me të dyja këmbët duke e ditur mirë se ku të mos shkelësh
në rrugën e kthimit, se duke dashur shumë veten nuk bëhesh egoist, por mëson të
duash të tjerët me zemër, se të pranosh të tjerët pa kushte nuk do të thotë të
bësh kompromis me veten për t’u bërë sipërfaqësore, se ti ishe reflektim i
atyre gjërave që unë bëja… e nëse arrita të heq dorë nga ti, kisha hequr dorë
nga vetja!
Ti ishe pjesa më e mirë e imja, shpresoj të të kem bërë të
lumtur…
Ndjesë për largimin, duhej të më thoje qëndro…
Super
ReplyDelete