Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt.
Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde!
Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që
nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se
sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më
sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë
gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje
që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur.
Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e kuptoj sa herë më sheh në sy, në ata sy që unë jam boshti yt dhe kam përgjegjësinë e madhe të jem e vogël para teje!
Sot drejtohem nga një bëlbëzim i fjalëve të tua të pakuptimta, udhëzohem me të qarën tënde, orientohem me duart e tua që zgjaten sepse jeta merr kthesë dhe bëhet një glob i vogël kur shikimi yt është tek unë. Për të gjitha gjërat që kemi mësuar bashkë, pjesa më e bukur ka qenë të mësojmë njëra-tjetrën. Shpresoj të kesh mësuar se unë do të vij me vrap sa herë që ti të qash, se do të të lë të bësh gabime, që do të të lë të eksplorosh, por dua që të dish se do të jem gjithmonë aty duke të të shikuar dhe duke pritur, gati të të kap kur të biesh dhe të të mbush me puthje sa herë të më vish pranë. Shpresoj që të kesh mësuar se jam streha jote e pakohë sic unë kam mësuar të të kërkoj falje kur e humbas ndonjëherë durimin dhe se do të bëj pothuajse çdo gjë për të parë buzëqeshjen tënde cdo ditë.
Për ty që e zvogëlon cdo problem
të paqënë të ditës.
Për ty që fshin me dorë gjithcka
që përpiqet të më ndjekë si re mbi krye.
Për ty që ke fuqinë të jesh shumë
më shumë se cfarë mban një zemër.
Për ty që fjalët nuk do të
mjaftojnë asnjëherë e që nuk do rresht së shkruari.
Faleminderit që je vajza që kam
dashur të kem.
Të dua, me shpirt…
Comments
Post a Comment