Ndërkohë që koha ndizet e dielli nuk ta përton aspak, gjej
rrugën e pashkelur ndonjëherë për të shkuar diku...
A bën të mos më shkruash për ca ditë? Po iki me ndërgjegje...
Lërmë ca ditë me detin! Ti ma njeh guackën e gaforres... Më pëlqen të dal prej
saj e sapo kthehem i mbyll kapakët e marr formën time prap!
Ti më thua mirëmëngjes, unë të kthehem me një mirupafshim! Ndjej
se është koha ime…Mos më kërko për ca ditë, vera është më e bukur vetëm, madje
ma ka qejfi që edhe ti të shkosh diku, po po, s'mund të bëhemi bashkë unë dhe
koktejli për ty, jemi kimi e dëmshme! Unë po njëherë...Më lër të zgjohem vetëm,
të dielën në mëngjes, me flokët shpurpuritur e dallgët që më gudulisin majat e
gishtave! Ora 9! Paqja e bojëqielltë ma lyen shpirtin me qetësi.
E dua verën vetëm!E dua verën pa ty! Si mund të burgoset një
shpirt-lirë për aq kohë sa ekzistojnë stinët si kjo?! Në sfond lehtë ndjej një
këngë, mbështes kryet në shezllon, mbuloj sytë dhe iki jashtë trupit tim në
fluturim...
Mi lër kënaqësitë e vogla t’i këndoj në rënien e diellit,
kur kripa të ketë lënë shenjë në flokët e mi, më lër të kërcej atje në breg të
detit, larg teje, me një të panjohur, më pëlqen të flirtoj me dikë që nuk është
ti. Të ndez një zjarr në mbrëmje e gurët
të më vrasin këmbët, të dehem me ajrin që lëshon deti e të kërcej nën ritmin e
të nxehtit, a ka më të shtrenjtë se liria?!
Yjet më janë ulur mbi flokë dhe ndjej se peshoj lehtë, asgjë
sma vret ndërgjegjen e nga duart nuk lëshoj gotën, i jepem rrotullimit të
duarve të tua, në një natë vere, ku flirtojmë me një buzëqeshje… nuk di në jam
përgjumësh apo gjysëm zgjuar, të bëj diferencën ndërmjet fantazisë dhe copës së
realitetit, por kuptoj që ëndrrat janë një gjë kaq e vogël, një esencë, një
imazh si ky, që nuk vrapon të ikë.
Një mesnatë ku do t’i zbraz të gjitha sekretet që mbaj, dua
që të mos më pyesësh si quhem, të mos më kërkosh të të tregoj atë që i flas botës,
mbamë kështu, të dalë prej kraharorit, duke të të treguar edhe skutat më të errëta
të shpirtit, mos më thuaj se jam e cuditshme, unë nuk e kuptoj herë-herë as
veten, më lër të të mbaj të panjohur në puthjen e natës së mirë…
E dua verën vetëm!
This comment has been removed by the author.
ReplyDeleteLiria qe me transmetove me lumturoi, rigjeta vehten ne cdo fjale. Faleminderit.
ReplyDeleteMenyra se si me gezon me keto qe shkruan eshte e njejte me ate qe te kam dhene une me shkrimet e mia ☺️
Delete