Një nga këto të rastësishmet,
vjedhurazi në rrugë, që të shpëton teksa sheh një fytyrë të njohur!
Një nga ato të vjetrat, sipërfaqësore,
që të më bësh të mendoj se mes nesh vazhdon të ketë një hendek të madh.
Në mëngjes, kur të shkëmbehemi
shkallëve, më jep një buzëqeshje! Vetëm aq, m’i ke thënë të gjitha. Në lokal, në
orën tetë, kur dielli sapo është ulur mbi pjatën e filxhanit të kafes, kur unë
të kaloj, më jep një buzëqeshje. Kur të jesh duke shpjeguar kolegeve një cështje
dhe të ndeshesh me sytë e mi, më buzëqesh. Në cepin e asaj bordurës ku shet një
grua trëndafila, më jep një buzëqeshje. Kur të jesh në makinë, duke lejuar
kalimtarët të ecin e të kthesh kokën, më jep një buzëqeshje.
Ndoshta ti nuk e di, sepse unë
nuk t’a kam thënë, ilac i shpirtit tim, ndjesi deri në palcë, forcë për t’u
rikthyer, një dorë e zgjatur, ti nuk e di si u ndërtuan të gjitha ne skeletin e
një buzëqeshjeje. Ti ndoshta nuk e di se sa e sa fjalë ka prekur një shikim, e
sa prekje ka përqafuar syri im, sa forcë ka një shpirt e sa shpirt të ka buzëqeshja
ime. Përbërësi më efektiv në ndjesitë e pathëna, është pamja me shpërthimin e
lumturisë në sy! Ma ushqe shpirtin me atë peshë që vetëm buzëqeshja jote di të
japë. Më co në një botë tjetër ku të më tërbohet edhe qeliza më e vogël e
adrenalinës, në atë hapësirë ku të jem vetëm përballë shikimit tënd!
Buzëqesh, në të mirë e në të keq,
në ditë të zymta e të trishta, sepse në kohë cdo gjë e ka një shpjegim, kur
akoma mos të ketë ardhur vera, pa e ndjerë akoma, kur të jetë ftohtë, më co
pranë detit, megjithë të, më jep një buzëqeshje!
Kur të mbyllësh sytë, në pasditen
e qetë pas një dite të lodhshme, e në krahun tim të mbështetesh, kur të nxitosh
për të shkuar në një darkë pune, kur të mos kesh kohë, kur të jesh i lirë, kur
të kam mërzitur unë e as me sy nuk do të më shohësh, në momentin që i thua
vetes “boll më”, kur të më urresh e t’i kemi ulëritur njëri-tjetrit të gjitha
gabimet në fytyrë e të largohesh aq i hidhur sa të mos duash as veten, kur të
ketë mbetur edhe ndonjë fjalë e fundit pa thënë, kthehu e më shih…më jep një
buzëqeshje…
Më jep një buzëqeshje rikthimi,
nga ato pas hatërmbetjes…
Desantila
Comments
Post a Comment