Skip to main content

Përpara se të shkoj!

Të lutem mos qaj…
Unë të dua fort, të kam të shtrenjtë! Edhe ty, edhe ty, edhe ty, të gjithëve!
Kam zgjedhur shpesh herë të rri e t’i them vetes në heshtje që unë mund t’i bëj të gjitha, mund të dua edhe për dy, mund t’ja dal edhe vetëm, se ëndrrat po nuk i ngacmove për t’i zgjuar, nuk bëhen kurrë të tuat!

E në gjithë këtë timen botë, që prej së jashtmi më pëlqente fort, kur u ndesha me pasqyrën, nuk më pëlqeu përballja me veten! E di, kam ikur edhe herë të tjera, po prap e kam gjetur rrugën për t’u kthyer tek ti. Unë u vesha me jetën tënde, duke harruar timen, unë jetova me rrobat e tua, duke zhveshur dëshirat e mia, e në pasyqrë ndjeva që gjithë shpirtin e kisha strehuar në kraharorin tënd për disa kohë, duke veshur cdo ditë shumë pak nga vetja, atë “pak” që sot u bë arsyeja e madhe e hapave të mi larg teje.


Sot po të lë…
Dua të të lë jo sepse më ke lënduar, po sepse po kërkoj akoma veten, të gjitha ato që t’i kam zgjatur me duar e ti përherë krahë-hapur i ke mirëpritur, tani dua që t’i kryqëzosh duart e të mendosh për veten! Unë po të lë, për të marrë zemrën mbrapsht!
Sot jam rikthyer tek dashuria e parë, jam lidhur me veten, e dua shumë! Më do po njësoj. Nuk më do me orar, as me kushte, as për shoqëruese, mua vetja më do përherë! Më do edhe kur nuk ja plotësoj të gjitha, më donte vetja mua edhe kur unë të doja ty, edhe kur e harroja, ajo më priste prap, shpesh herë zgjuar, si për të më kujtuar se ëndrrat e mia presin vetëm ti marr unë në duar! Nëse do të qëndroja edhe sot me ty, do t’i hiqja vetes edhe një ditë prej dashurisë…

Dua të jetoj dhe njëherë veten që harrova! T’i hap vetë kutitë e recelit që ishin aq të forta e t’i kaloja ty në duar, të ngre vetë kutitë e kujtimeve, të shtyj pesha që nuk i dua, të gjitha këto që  i bëje ti, dua t’i bëj vetë! Do shkruaj njësoj sikur t’i nuk po më lexon e do lexoj njësoj edhe pse ti nuk më shikon! Do t’i pohoj vetes cdo ditë se dukem shumë bukur dhe  të pranoj cdo kilogram të tepërt në trup, duke u ndjerë krenare për cdo lakim të formave të mia! Do të buzëqesh kur të kujtoj se si më duhej një kompliment për ta nisur ditën e një të tillë për t’a mbyllur. Unë jam shumë e mirë pa ma shkruar ti,  sepse sot jam lidhur me veten, jam dashuruar me qënien që njoh më së miri…
Nuk më vjen keq për cdo ditë që kam ndenjur, do më vintë keq po të mos ikja sot!

Të lutem mos qaj, unë të dua fort!

Desantila

Comments

  1. E mrekullueshme. Me magjepse me keto fjale te bukura. Faleminderit qe ekziston

    ReplyDelete
  2. E mrekullueshme. Me magjepse me keto fjale te bukura. Faleminderit qe ekziston

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...