Skip to main content

Dua të kthehem dje!

Kam mall të jem një vajzë e vogël si dikur, të zhgarravitem me buzëkuqët e sime mëje, t’ja vesh këpucët e të mërzitem kur ajo nuk më lë të mbaj edhe fustanet e saj.
Kam mall të jem e vogël e të bëj pyetje naive, t’i shtrëngoj dorën tim eti e të pohoj se “ai i di të gjitha”.
Kam mall për veten fëmijë, ku zgjedhja e fustaneve të kukullës bëhej motiv dite, ndërsa sot më duhet t’i jap motiv fustaneve për t’ja veshur ditës…
E urrej faktin se si nuk i besova kurrë të rriturve kur më thoshin se do të më marrë malli për këto ditë e do t’i kujtoj gjithmonë, se sa të thjeshta ishin gjërat e përherë të kishe dikë që kujdesej për ty! Nxitoja të rritesha, të bëja gabime, të pendohesha, nxitoja t’i ikja vetes!

Dua të rikthehem dhe njëherë në bankën e klasës së gjashtë, të përjetoj dhe njëherë të voglat emocione për djalin që të gjitha pëlqenim, të mos më zërë gjumi për një provim të nesërm e të ankohem se “gjithë hallet  e botës” duhet t’i kaloj unë…

Kam mall për veten fëmijë….
Sesi kërkoja vëmëndje me cdo kusht e nuk e pranoja kurrsesi se jam e llastuar! Kam mall të fle herët e të zgjohem për të parë kukullat e preferuara, të luaj jashtë shtëpisë e të kthehem duke qarë se vrava gjurin, të mësoj bicikletën, të provoj pianon, të filloj notin, të gjitha…



Kam mall për vajzën e vogël që kam qënë, ëndrrat e të cilës nuk kishin kufi, që besonte në një botë ku cdo gjë është e mundur, me një zemër plot e të pathyer…
Dua të mbaj të lidhur fort fëmijën e të rriturën brënda meje, dua të mos e humbas veten me kuriozitetin e asaj që isha dikur, të mos heq dorë nga dëshira e fustaneve, të besoj fort se njerëzit që dua janë të përjetshëm, kam mall të jem naive… jemi veshur keqaz me mosbesim!
Kam mall të luaj syllambyllaz,
T’i mbyll sytë për cdo dëshirë që refuzon të më plotësohet.
T’i mbyll e t’i fshihem edhe njëherë lojës së pisët të të rriturve!
Të vrapoj për të gjetur një vend ku e liga smë sheh dot,
Të t’i fitoj të gjitha lojët,
E në fund të më gjesh aty ku nisi!

Unë e rritur, ti syllambyllaz, ende fëmijë…

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...