Kam ecur gjatë rrugëve të jetës sime, duke bartur mbi supe peshën e ditëve që u bënë vite e viteve që u bënë kujtime. Dikur, kufijtë e mi ishin të ngurtë, të ngushtë, të rrethuar me mure të padukshme, por të larta. I ruaja me fanatizëm, si një kopshtar që mbron lulet e tij nga çdo erë e huaj. Më dukej se ajo ishte mënyra e vetme për të mbetur e paprekur.
Kam zhvendosur kufij të padukshëm, kufirin e durimit, kur
mësova të dëgjoj pa u mbrojtur, kufirin e faljes, kur kuptova se ajo nuk është
një lëshim, por një dhuratë që ia bëj vetes, kufirin e pranimit, kur pashë se
bukuria lind edhe aty ku nuk kam qenë kurrë, kufirin e vetes kur kuptova se nuk kisha nevojë për të tillë.
Tani, aty ku dikur ishin mure, ka rrugë të reja. Dhe këto
rrugë nuk më largojnë nga vetja, përkundrazi, më kthejnë më afër asaj që jam.
Jam bërë më e gjerë, jo si një tokë që pushtohet, por si një det që lejon
lumenjtë të derdhen në të. Nuk kam frikë nga ndryshimi, e di se ai është
udhëtari i përjetshëm që gjithmonë sjell një dhuratë. Kam mësuar se njeriu nuk
e mat veten me sa mbrohet, por me sa lejon të hyjë. Kam mësuar se njeriu është i bukur në çdo formë dhe emocion, se jeta vjen me aq njësi matëse sa do shpirti yt të mbërrijë.
Kufijtë e mi nuk janë më shenja ndalimi. Janë hije pemësh ku
të tjerët mund të pushojnë, janë ura të shtrira ku seicili mund të gjejë një pikë mbërritjeje, për veten, botën, dashurinë. Dhe unë,
duke zhvendosur kufijtë, kam gjetur diçka që nuk e kisha njohur kurrë
plotësisht: një liri të heshtur, të butë, të thellë, lirinë për të qenë dhe për
të lënë të tjerët të jenë.
Comments
Post a Comment