Ka një pikë në jetën e njeriut ku logjika hesht, ku llogaritjet shkërmoqen, ku fjalët e të tjerëve bëhen pluhur mbi supet e vullnetit. Aty fillon guximi. Ai nuk lind në siguri, por në tronditje. Është drithma e parë përpara një vendimi që të tejkalon, një hap që nuk të premton kthim, një shikim drejt së panjohurës që nuk kërkon garanci, por përkushtim.
Guximi nuk është armaturë, është zhveshje. Nuk është të nisesh i sigurt, por të ecësh edhe kur nuk e di se ku po shkon. Dhe në mënyra që nuk mund t’i shpjegojmë kurrë me logjikën e botës, fati pikas zemrat që rrahin ndryshe. Ai rrallë ndihmon të përgatiturit. Më shpesh ulet në tavolinë me të cmendurit që guxuan të ngrenë një gotë në ajër dhe të thonë: “Pse jo?”
Guximi është virtyti që s’ka nevojë të bëjë
zhurmë. Ai nuk shpallet, nuk vishet me parrulla, nuk kërkon duartrokitje. Është
si rrënja që depërton tokën, në heshtje, duke kërkuar dritën. Nuk shfaqet
gjithmonë në beteja të mëdha, por shpesh në veprime të vogla me peshë të
jashtëzakonshme: të thuash “jo” kur të gjithë presin që të bindesh, të
zgjedhësh rrugën e vështirë kur e lehta të fton me duar hapur, të mbrosh të
vërtetën, edhe kur ajo të kushton.
Dhe
është pikërisht në këto çaste, kur guximi cohet mbi dyshim si një flakë mbi
erë, që ndodh një nga misteret më të rralla të jetës, fati i hap derën
guximtarit. Jo sepse ai është i zgjuar më shumë, as sepse ka më shumë për të
ofruar, por sepse pati kurajën të trokasë aty ku të tjerët kaluan pa zë.
Fati
është kapricoz, por nuk është i verbër. Ai i përgjigjet energjisë së atyre që
nuk presin që bota të ndryshojë përpara se të nisin ndryshimin e tyre. Nuk
është gjithmonë i drejtë, por ndonjëherë, në mënyra që sfidojnë cdo logjikë, ai
i jep rrugë atij që ka guxuar të dalë prej saj.
Ka
një poezi të pashkruar në aktin e guximit një përkulje e shpirtit drejt së
papërfunduarës, një betejë e brendshme me komoditetin, një ftesë për jetën që
s’është e programuar. Dhe në këtë poezi, fati është rima e papritur që e bën
vargun të përjetshëm.
Të
guxosh nuk do të thotë të mos kesh frikë do të thotë të zgjedhësh veprimin mbi
paralizën, mundësinë mbi plogështinë, jetën e plotë mbi jetesën e heshtur.
Sepse fundja, historia nuk e mban mend atë që priti momentin e duhur, por atë
që guxoi ta krijojë atë moment.
Në
një botë që lavdëron suksesin, por shpesh harron rrugët e dhimbshme që çojnë
tek ai, guximi është virtyti që mbetet i pastër. Ai nuk premton fitore, por të
jep dinjitetin e përpjekjes.
Dhe ndonjëherë, vetëm ndonjëherë, kjo
përpjekje takon fatin dhe prej saj lind mrekullia.
Comments
Post a Comment