Të kam dashur shumë. Jo siç e thonë në këngët e lehta apo në filma ku gjithçka përfundon në një përqafim dhe muzikë në sfond. Të kam dashur në heshtje, në thyerje, në netët kur fjala "mirupafshim" nuk kishte garanci kthimi.
Të kam dashur në çdo version të kohës. Në ato ditë naive kur gjithçka ndodhte pa u menduar gjatë, dhe në ato netë më të vona kur gjithçka analizohet kur edhe ndjenjat që dikur thjesht ndiheshin, tani shqyrtohen, vihen në peshore, kërkojnë arsye për të qëndruar. E megjithatë, ndonjë gjë tek ti mbeti e paprekshme nga logjika. Një pjesë që nuk u zhvesh kurrë nga ndjenja, një kujtim që nuk kërkonte justifikim për të qenë.
Koha është mjeshtre e fshehtë. Ajo jo gjithmonë vjen e mbrapshtë, ndonjëherë rregullon gjithcka. Shkrihet ngadalë mbi kujtime dhe i formëson ndryshe. E butë dhe e ashpër njëkohësisht, ajo gdhend kujtimet me një dorë që vetëm pas shumë vitesh e kupton se çfarë ka krijuar. Ajo që dikur dukej si fundi i botës, një dhimbje që dukej se s’kishte kthim, sot duket si një kapitull i domosdoshëm për t’u rritur, për të kuptuar çfarë kishte vërtetë peshë dhe çfarë ishte veç zhurmë.
Dhe ti… Ti je një nga ato pak të vërteta që koha nuk ka mundur ta zbehë. Nuk je më pranë, nuk je më pjesë e të përditshmes, por je aty, në themelin e mënyrës se si unë e përjetoj ndjenjën. Në mënyrën si përkufizoj thellësinë, sinqeritetin, lidhjen. Mbase nuk je më një e tashme, por je bërë një ndjesi e përhershme, një kujtim që nuk kërkon të kthehet sepse e ka vendin e vet në mua. Dhe sa herë më lëkunden emocionet, sa herë shpirti më përplaset mes dyshimeve, je ti që rikthehesh jo si një mall, por si një busull që më kujton çfarë ka qenë e vërtetë.
Dikush një herë më tha se
dashuria e vërtetë është ajo që nuk e përmban më egon. Unë s’e kuptova
menjëherë. Por sot e di: s’kam më nevojë të të kem, që të të dua. S’kam më
nevojë të më kujtosh, që të jem e qetë që të kam dashur.
Dhe ndoshta kjo është ajo që na
shpëton nga thyerjet të kuptojmë se
dashuritë më të forta nuk mbahen në dorë, por në shpirt. Ato nuk maten me sa
herë e përmend dikë, por me sa shumë je ndërtuar nga ai dikush.
Të kam dashur shumë. Dhe në një
mënyrë që tani më mëson si të dua më mirë pa posedim, pa kërkesë, por me
ndjeshmëri të pastër, siç do duhej të ishte gjithmonë.
Comments
Post a Comment