Ka fytyra që nuk ecin, ato ndriçojnë. Nuk flasin por frymojnë në dritë si pasqyra që nuk reflektojnë imazhe, por thellësi të qarta. E në sytë e tyre, e gjithë bota merr kuptim, si një grusht rëre që mban në vetvete historinë e detit.
Disa njerëz nuk e mbartin gëzimin ata e rrezatojnë. E kanë
në shpatulla në mënyrën si i përkulin, pa barrë. E kanë në duart që nuk
lëshojnë dënime, por janë të paqtë. Por më shumë se gjithçka, e mbajnë në sytë
ku shkëlqen dielli jo si dritë, por si prani. Si diçka që nuk mund të ndizet,
sepse nuk është ndezur kurrë. Ka qenë gjithmonë aty.
Sy që nuk kërkojnë por japin. Sy ku mëngjeset nuk fillojnë
me orë, por me frymë. Janë njerëzit që pa e ditur, përhapin një dritë të
ngrohtë të pashpjegueshme. Njerëz me pranverë të fshehur nën lëkurë, ku çdo
buzëqeshje është një lulëzim pa stinë.
Janë copëza dielli, jo në qiell, por në xhepat e syve të
fshehura aq bukur, sa duhet të dish të shohësh me shpirt që t’i dallosh. Nuk
ndriçojnë për t’u parë. Ndriçojnë sepse nuk dinë ndryshe.
Ndonjëherë ajo që quajmë lumturi nuk është një gjendje, por
një mënyrë e të qenit si era që nuk qëndron askund, por është kudo. Kështu janë
edhe ata: nuk kanë nevojë të tregojnë lumturinë, sepse ajo është gjuha e tyre e
parë, jo e mësuar por e lindur.
Në praninë e tyre harrohet zhurma e botës. Gjithçka bëhet më
e lehtë, më e butë, më e thellë. Ata nuk janë gjithmonë të
zëshëm, as gjithmonë të dukshëm, por i ndjen sapo pranohesh në hapësirën e
tyre, sikur prania e tyre të zgjaste një dritë të padukshme që shtrin duar të
buta mbi ty. Dhe kur largohen, nuk të mbetet boshllëk, por një mbresë e ngrohtë,
si pas diellit që perëndon pa zhurmë dhe lë pas një qiell që nuk ka më asgjë
për të provuar, veçse të ekzistojë në paqe.
Sepse ka njerëz që nuk sjellin ndryshime të mëdha, por
rikujtime të thella. Ata janë dëshmia e heshtur që brenda secilit prej nesh
mund të ndritë diçka, vetëm nëse kemi guximin të jemi të butë. Dhe diku, në mes
të gjithë zhurmës, mjafton të shohësh sytë e tyre për të kuptuar se ndoshta, e
gjithë drita që kërkojmë, ndodhet brenda nesh e fshehur mirë, si copëza
dielli... në xhepat e syve.
Comments
Post a Comment