Ka një udhë që nuk e njeh hartën, por megjithatë na çon gjithmonë në vendin e duhur. Ajo nuk ndiqet me sy, as me këshillë. Është një shtysë e qetë, një thirrje e butë që vjen nga brenda jo si urdhër por si intuitë.
Ka vendime që duken të gabuara
për botën, por të vetmet të drejta për shpirtin. Ka ndalesa që duken humbje
kohe, por në to rritet njeriu. Ka sakrifica që nuk shihen, por janë themeli i
dashurisë. Janë ato zgjedhje që nuk i thotë mendja, por ndodhin sepse diçka e
padukshme i thërret.
Aty ku logjika bën llogari, ajo
bën vend. Eshtë ajo që fal kur krenaria ngre zërin, është ajo që hesht kur
duhet heshtur, por dridhet kur diçka nuk është e ndershme. Është barometri i së
vërtetës njerëzore, i pathënë, por i pandryshueshëm. Nuk është rregull, është
prani. Një qetësi që të tregon rrugën pa zë.
E njohim në vendimet që s’kanë
logjikë, por që sjellin paqe. Në zgjedhjet që duken të çmendura, por na bëjnë
më njerëzorë. Në momentet kur zgjedhim të qëndrojmë, kur do ishte më lehtë të
iknim. Kur japim, edhe pse askush nuk pret. Kur duam, edhe kur nuk na kuptojnë.
Nuk do ta gjesh të ulur në
tryezat ku vendosen fatet e mëdha. Por gjithmonë është aty, në prapaskenë, duke
pëshpëritur një të vërtetë që nuk ka nevojë për zë: se njeriu nuk drejtohet nga
ajo që mendon, por nga ajo që nuk mund të mos ndjejë.
Shpesh, ndjekja e saj është e vështirë. Nuk ka udhëzime. Nuk premton sukses, as lavdi. Por premton përmbushje. Jo një fitore mbi të tjerët, por një pajtim me vetveten. Një heshtje e thellë që të thotë: bëre atë që duhej, edhe nëse askush s’e pa.
Dhe çuditërisht, në kaosin e
botës, ajo është e vetmja që nuk e humb kurrë busullën.
Sepse ajo nuk udhëheq për të
dominuar por për të kthyer njeriun tek vetja. Në një botë që kërkon gjithnjë më
shumë zë, ajo flet me ndjenjë. Në një kohë që mat çdo gjë me shpejtësi, ajo
qëndron. E padukshme, por e gjithpranishme. E thjeshtë, por më e thella nga të
gjitha.
Një prani që s’ka nevojë të
shpjegohet. Sepse kur e ndjek, e di.
Comments
Post a Comment