Është
e çuditshme si njeriu mëson ta masë vlerën e jetës përmes ngjarjeve që duken si
maja të paarritshme, ngjitje drejt një kulmi që gjithmonë zhvendoset sapo i
afrohesh. Kemi rënë dakord, si pa e kuptuar të besojmë se ndjenja e plotësisë
që e ushqen shpirtin buron nga fitore të mëdha, nga pasuri që matet, nga
pushtet mbi gjërat, apo nga premtime që duken sikur do të na shpëtojnë nga
boshllëku i përditshëm. E megjithatë, ajo që kërkojmë me aq ngulm rrallë
fshihet në majat ku syri ngulitet.
E
vërteta është më e thjeshtë më modeste dhe ndoshta pikërisht për këtë më e
paarritshme, ajo jeton në ato çaste që nuk bëjnë zhurmë, në aromën e kafesë që
mbush mëngjesin me qetësi, në dritën e butë që luan mbi muret e shtëpisë, në
hapat që zgjasin në një rrugë të heshtur, ku koha ngjan sikur ka harruar të
ecë. Janë grimcat e zakonshmërisë ato që fshehin më shumë sesa pritet por
njeriu është mësuar t’i kalojë pa i parë.
Lumturia
rrallë flet me fjalë të mëdha. Ajo nuk shfaqet në formën që njeriu e mendon, e
aq më pak në atë që ai shpreson. E përulur dhe thuajse e padukshme, ajo endet
pranë nesh si hije, pa na kërkuar asgjë, pa trokitur, pa ndaluar, vetëm duke
pritur që sytë tanë të ndalen mjaftueshëm për ta vërejtur dhe nëse ndonjëherë
ndodh që njeriu e ndjen, zakonisht është pasi gjithçka ka heshtur përreth dhe
brenda tij.
Njeriu
është një qenie që gjithmonë kërkon përtej horizontit, gjithmonë me sytë drejt
së ardhmes, drejt një "dikur" që do t’i japë kuptim ekzistencës së
tij. Ndërkohë ajo qëndron aty ku gjithmonë ka qenë, në thjeshtësinë që ai ka
mësuar ta përbuzë sepse në fund, ajo që e shqetëson njeriun nuk është mungesa
e lumturisë, por pamundësia për ta pranuar atë pa një arsye madhështore.
Ka
një moment të vogël që nuk ka emër, nuk ka ngjyrë, nuk ka ngjarje, kur gjithçka
duket se është e vendosur aty ku duhet. Fryma rrjedh qetë, mendimet pushojnë
dhe vetë jeta pa zbukurime, duket e mjaftueshme. Ndoshta ky është kuptimi më i
thellë, jo gjetja e diçkaje të re, por rikthimi tek ajo që gjithmonë ka qenë
aty, duke pritur të kuptohet.
Njeriu
nuk është i plotë
kur ka gjithçka, por kur ndalon së kërkuari gjithçka. Dhe kur ndalon, sheh se
ajo që i mungonte s’ka qenë kurrë e largët ka qenë vetëm e padukshme nga sytë
që kërkonin shumë larg.
Jeta
nuk është një garë për të mbushur boshllëqe. As një kërkim i pafund pas
përkufizimesh që shpesh i shkurtojnë kuptimin. Është një art i thjeshtë: të
jesh, pa i kërkuar asgjë më shumë asaj çfarë je. Dhe ndoshta, pikërisht kur
pushon së kërkuari, zbulon se ajo që ke pritur gjatë, ka qenë gjithmonë aty,
duke pritur të jetohet.
Comments
Post a Comment