Kam
mësuar të mos hesht, as të qëndroj aty në cepin e jetës duke pritur kokulur se
cdo të ndodhë, kam mësuar të mos ulem e sodis veten që thjesht frymon. Kam mësuar
të bëj shfaqje e të vjedh vemendje edhe nëse jam mes qindra njerëzish dhe zhurmën
ta kthej nga vetja. Kam dashur të jem qendra e botës dhe ja kam bërë vetes të
lehtë për të mbërritur pikërisht aty ku kam dashur.
Por më
shumë se kaq, kam mësuar që të mos friksohem nga pasiguria, as nga ato momente
kur gjithçka duket si një labirint ku humbas orientimin. Kam kuptuar se jetët
tona shpesh ngjajnë me një teatër të pashmangshëm, ku secili prej nesh është
një aktor që luan rolin e vet por pa ditur fundin e shfaqjes. Dhe, ndonjëherë,
kur dritat janë fikur dhe përfundojnë duartrokitjet, e vetmja gjë që mbetet
është të frymosh thellë në errësirën e vetmisë dhe të marrësh udhë të reja.
Kam mësuar
që t’i pranoj gabimet si shenjë e shërimit, të kuptoj se ato janë si gurët e
hedhur në lumë të pavlerë për ata që refuzojnë të shohin
përtej sipërfaqes. Por, për ata që kanë sy të mprehtë, secili rrebesh ka një
arsye, çdo rrugë e ndaluar ka një mësim të fshehur, dhe çdo humbje është një
ftesë për të ripërtërirë veten në një formë më të plotë.
Qendra e
botës nuk është një vend që gjen, por një vend që krijon. Kam kuptuar se për të
qenë aty, nuk mjafton thjesht të dëshirosh; duhet të kthesh çdo ëndërr në
pasion, çdo pasion në veprim, dhe çdo veprim në një shenjë që lë
gjurmë. Kam ngritur themelet e saj me duar të mbushura me sakrifica, duke i
bërë secilën vështirësi një thesar të fshehur që më udhëheq, duke kuptuar se
suksesi është një valë që ngrihet për të përmbytur çdo frikë, çdo dyshim.
Në këtë
udhëtim, kam mësuar të pranoj errësirën si një aleat, sepse në thellësitë e saj
ndodhen mundësitë e fshehura. Kam mësuar se është në përpjekjet që duket se na
shpërqendrojnë, se gjejmë forcat e fshehura për të ecur përpara. E vërteta
është se për të arritur të qenurit qendra, nuk mund të qëndrosh vetëm si një
shfaqje; duhet të jesh po ashtu shpirti që nxit çdo ngjarje, çdo frymë që do të
krijojë atë që është e pamundur të bëhet realitet.
Kam mësuar
ta bërtas vete time si zërin më të fuqishëm, si koncertin me sallën plot, si ulërimë
që oshëtin, si jehona më e bukur, si dicka të përvecme që zotëroj, duke hequr
zhurmën e botës për të gëzuar shpirtin tim! Sepse jeta ime është shfaqja më e
bukur ku jam ulur edhe si spektator në kolltukun e kënaqësisë të jem personazhi kryesor.
Comments
Post a Comment