Dua një shteg për arratisje të vogla!
Dua një vend ku të prehet me thikë e përditshmja me imagjinatën!
Dua një rrugicë plot dritë, me
të mundimshet ecejake në kalldremë!
Dua një luginë, ku fryma të
lehtësohet e shikimi të humbasë, ku ekzistenca të jetojë vetëm si shpirt e jo
fizikisht, një paqe për mendjen, një rrugë për lumturinë.
Një ishull për mendimet e pafolura, një qiell të kaltër si një pafundësi mundësish për të pikturuar me dorë një diell, një paqe për zemrën, një mëngjes për të rifilluar. Një rrëfim të zhveshur, meditativ, që të vjen e të lëmon dëgjimin si një varg empatik zbritur në tokë për të prekur zbathur drejt e në shpirt, si një hartë e shenjuar me emrin tënd, një rrugë për lumturinë.
Një ecje në majë të gishtave në
ishullin tënd të cilit edhe heshtjen ja formësoj në fjali, nga ato të rrallat,
heshtjen si produkt, heshtjen si njëmijë fjalë të thëna pas një vrulli verbal të
shpërbëra në cdo cep të një vendi që nuk ndihet aspak i shkretuar.
Një ulërimë në rrafshin e tokës,
ku zëri të kumbojë edhe në veshin më të largët, të shkundë territore të
paprekura ku ende një zemër si e jotja ska mbërritur. Pa tjetrin do të ishim asgjë,
ndaj dua një rrugë ku të më njohë e ta shoh me ty edhe përtej vetes, një rrugë,
një tokë, një trup, që duke u mbështjellë e bëjnë botën të mundshme.
Dua një rrugë me këmbana festive!
Dua një rrugë ku një ndjesi e
pamatshme ta përqafojë zemrat!
Dua një rrugë për lumturinë, një
destinacion për një kërcim, që të mbërrij e të bie në paqe, ku qënia të jetojë
si shpirt, ku të mblidhet bota krejt në dy, në dramcat e pakta të diellit, në hijen
e bërë cati për një puthje.
Dua një rrugë për lumturinë, ti
ve emrin tënd!
Comments
Post a Comment