Skip to main content

Gjërat nuk do të ishin njësoj…

Gjërat nuk do të ishin njësoj po të mos ishe ti. Nuk do të ishte një natë e gjatë duke bërë palë mendimet me jetën ose ndoshta duke i bërë lëmsh të dyja. Nuk do të ishin fjalët me mundësi të kufizuara si një manual për të na cunguar dëshirën. Nuk do të ishte syri i paqejf për ndryshime duke lënë pasqyrën si reflektim të asaj cka nuk jemi.

Do doja ti dëgjoj ca nga ata që heshtin, me po aq shpresë e dëshirë sa do të kisha dashur që ca nga ata që flasin, të kishin heshtur, një vend ku gjërat nuk do të ishin njësoj…

Një vend ku të gjesh një strehë të pamanipuluar nga arsyeja. Një vend ku të ulesh e të më tregosh pikërisht se cfarë ta ngre shpirtin peshë e cfarë ti bën të gjitha muret e thyeshme, kush janë kostot njerëzore që të mos e humbësh atë cmendurinë e brendshme, kush janë format dhe përmasa që ti ja prezanton botës e si e mban larg vetes botën për mos të ta ndotur atë dimension që të përket vec ty.

Gjërat nuk do të ishin aspak njësoj, po të mos rendim turravrap pas asaj që na turbullon e na vendos në trarë ekuilibrat mes asaj që duhet dhe duam. Nuk ka bisedë më të qelqtë se ai fragmenti i tjerrjes së shpirtit drejt e në veprim, pa lënë asnjë gjendje apatie ndërmjet. Nuk ka vend më të bukur për të materializuar gjithë fjalët, sesa tek ti.

Sa mirë që gjërat nuk janë njësoj.

Nga dëshira që më prodhon ti, më shkon për shtat ti lejoj mendimet e pakrehura të lëshohen mbi supe e mos më rëndojnë, të më përkëdhelin e të më diktojnë se kjo është pikërisht ajo që dua. I druhem fjalëve që kanë të njëjtën forcë të më bëjnë të lumtur e të ma zhbëjnë me po aq forcë të patundshme lumturinë.

Të gjitha tirren ngjeshur në cohën e një mendimi të këtushëm, ti, fjalët, heshtja, veprimet.

Sa mirë që gjërat nuk janë njësoj tani që je ti.

 

 

 

 

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...