Skip to main content

Takova veten ndryshe...

Takova dikë tjetër në pasqyrë, dikë që rrezatonte, nuk buzëqeshte ajo por sytë. Nuk më foli asnjë fjalë po mi rrëfeu të gjitha sekretet me një ulje sysh. Takova dikë tjetër kur ngriti kryet për të më parë prap, takova veten ndryshe prej teje.

Takova dikë me kurajo për jetën, me ngazëllim që i dukej i shpenguar në ecejake, me një melankoli të zbritur në dyshemenë e mendjes. Pashë një ecje të lirë, që deri dje i përkiste një njeriu të komplikuar.

Takova një shpirt, një shpirt të butë që kishte zbritur zemrën në duar për të mbledhur fjalë të pashkruara ndonjëherë, për ty!

Pashë dikë të bukur në pasqyrë, me fytyrën plot diell, me miliona yje në sy, pashë dikë kaq të lirë, pa kufinj  që ishte gati të zbulonte vendet më të fshehura e skutat më të thella të një gjeografie që vetëm ajo njihte.

Gëzohem që të njoh, ta dua këtë formë të të qënurit ti e prap të jesh ndryshe! Mënyrën se si e ke mbledhur zemrën në një, se si ke krijuar një harmoni mes ëndrrës dhe realitetit. Ti je kaq njerëzore, kaq e mbërritshme, kaq e paqtë e njëkohësisht kaq në luftë. Të shoh ty dhe mësoj se si është të mos dorëzohesh, se si është të mos humbasësh kurrë aventurën e një njeriu klasik që di të dojë përtej vetes.

Do të doja tja përqafoja zemrën kujtdo që tek ty bëri të jetë edhe njëherë diell.

Do të doja tja përqafoja shpirtin, kujtdo që e transformoi qënësisht fjalën “të biesh” me celjen e fjalës “lulëzoj”, sepse ti kë ngjyrën e trëndafilit që sapo ka hapur sytë dhe unë kështu dua të jetë forma me të cilën duhet të duam.

Takova veten bukur, me empati të pashoq, me krahë hapur për përqafim, me shtrëngim zemrash, me dëshira plot ngjyra, takova veten në pasqyrë, këtë herë krejtësisht ndryshe, prej teje!

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...