U mësuam me njerëz të cuditshëm, me njerëz që humorin e kanë të ngjashëm me motin, me njerëz që ndryshojnë fytyrat si veshjet, u mësuam me njerëz të zakonshëm, që një ditë të njihnim ata që nuk janë kështu!
Ndonjëherë më vjen të të pyes, a
je i lumtur si unë?
Si një udhëtim ku dielli të shoqëron
rrugën, si një melodi që e rikthen për ta dëgjuar disa herë, si aroma që të
sjell në mendje ditë të bukura, si një ditë të gjatë të mbyllur me një puthje,
me një përqafim, me disa gota dhe me shkëlqim sysh.
Si një rrëfim ku zemrën zbret në
duar dhe strukesh në atë prehër për një shpirt të ngrohtë, si një emocion të
paemër që nuk do ta zhbësh dhe e tërheq më fort pas vetes, si një dëshirë që
mban gjatë, që nuk venitet, me drita që reflektojnë, me disa ëndrra dhe me sytë
mbyllur.
Si një film që të mban pas vetes,
me personazhë të vrullshëm, me njerëz që përplasin shpirtin për të mbërritur
yjet si të prekshme, me duar shtrënguar, për tu hedhur në cdo mendim pa e ditur
se cfarë i pret në anën tjetër.
Si ngjitja në majën e një mali,
si një rrugëtim të mundimshëm pa asnjë të dorëzuar për të vënë një shenjë në përfundim,
me një pjesë të plotësuar të qëllimit. Si një arritje, si zhurma e shishes së
verës kur hapet, si puthja pas saj, me shikimin drejtuar tek ti.
Ndonjëherë më vjen të të pyes, a
je i lumtur si unë?
U mësuam me njerëz pa emocione, me njerëz që bëjnë zhurmë e lënë heshtje, u njohëm me fytyrat por jo me shpirtin, me njerëz që mendojnë se kufiri është qielli, pa e ditur se janë ata kufinjtë!
U mësuam me njerëz të zakonshëm,
që një ditë të njihnim ata që nuk janë kështu!
Unë u mësova me ty!
Ti je i jashtëzakonshëm, si një
pikë në mes të zemrës.
Comments
Post a Comment