Të zgjedhim të heshtim para se të flasim e në heshtje të ulërasim edhe frikën për tu përballur. Të ngrihemi për të manifestuar gjërat që nuk na pëlqejnë e ato që shkojnë keq e në këtë hatërmbetje të hedhim sytë si për të thënë “nuk bëhet kështu”.
Të ikim pa kthyer kokën e në mes të rrugës të ndjejmë atë frikën “po sikur” të kishim qëndruar?
Të shesim kohën para se ti japim vetes kohë për ta njohur dëshirën që kapërcen kufinj dhe hapësirë.
Të ndërtojmë mure në vend të urave e në përpjekje për të kaluar në krahun tjetër, të kthehemi mbrapsht.
Të venitemi si një hije që rrugës i lë pas vetëm gjurmët, me bindjen se nuk do të kthehemi më.
Ti bëjmë njëherë gjërat keq e pastaj ti ndreqim.
Të flasim a të heshtim, rëndësi ka që tani që jemi këtu, nuk kam më vend për fjalët e panevojshme të kënduara në këngë që mbeten vetëm aty.
A do të qëndroje nëse do të mundeshe? Ti bëjmë gjërat keq para se ti ndreqim. Ndoshta kështu duhej.
Për shumë fjalë “përgjithmonë” të shkruara në mure, në mesazhe a në premtime, të qëndrojmë jashtë, të zgjedhim të tashmen, kështu sic është, me disa drita të ndezura e disa të djegura, me duar të ftohta e me zemrën që ndoshta ende nuk ka njohur të ngjashmen e saj.
Për të gjitha herët që zgjodhëm të largohemi para se të afroheshim e në këtë rrugëtim mbyllëm sytë duke i mohuar vetes shikimin!
Për të gjitha dëshirat që me duar i mbytëm e nuk i lamë kurrë të bëheshin rrëfyes.
Për të gjitha herët që zgjodhëm heshtjen, jo fjalët, heshtjen, jo puthjet, heshtjen, jo përqafimet.
Për të gjitha gjërat që bëmë keq, eja ti ndreqim!
Comments
Post a Comment