Nuk e di ende se cfarë forme mori zemra dhe kush ishin fragmentet që ndaluan rrahjet e saj por nuk do doja të ishte ndryshe. Do doja po njësoj sot në përqafim të ndjeja sesi zemrat njohin njëra tjetrën!
Sepse me mungesën tënde, mësova
durimin. Të duash përtej kohës e përtej ngjarjeve të jetës, kudo që jeta të të diktojë udhën, të njohësh humbjen e të
pranosh se njerëzit nuk janë gjithmonë aty. Të mësosh se me mungesën tënde mund
të plotësosh veten.
Sepse me mungesën tënde, mësova të
harroj. Të mos i jap kohë asnjë figure që nuk ma dëshmon me ngjyra se vemendja
vidhet edhe krejt padashje. Mësova të harroj gjithcka që nuk është ti. Mësova se
si është të mos urresh por të duash, mësova të harroj e të kujtoj njerëzit që
kanë më shumë rëndësi.
Mësova të dua veten, me mungesën tënde! Të përsërisja cdo ditë në heshtje se të gjithë jemi të formësuar ndryshe dhe jemi të përveccëm e kjo na bën të jemi unik. Mësova të dua sic doje ti, mësova të dua veten sic të doja ty, mësova të doja veten sic më doje ti. Me mungesën tënde u bëra një me unin, duke mos dashur të vuaja ndryshe por duke mësuar se dhimbja është po aq e bukur sa cdo ndjesi tjetër.
Unë vuaj bukur! Sepse nuk harroj
asnjëherë se sa mungon e sa prezent je në mungesë!
Sepse nuk kërkoj të ndryshoj asgjë por e jetoj ditën edhe kështu, duke pranuar se edhe me mungesë, je aty! Sepse duke të të kujtuar, kuptoj se nuk kam harruar për asnjë moment se si ndjej, se si ndjeja e se cfarë ma ngre shpirtin peshë! Sepse me mungesën tënde mësova të të dua ndryshe, pa vrapuar, por me hapa të ngadaltë, pa një këngë të plotë në sfond, por me një refren, mësova durimin, mësova se sa i butë bëhet shpirti i njeriut kur ndjen përtej kohës, mësova në vuajtje se sa bukur është të duash.
Mësova se nuk isha vetëm në gjithë
këtë rrugëtim, duke vlerësuar cdo ditë prezencën tënde!
Comments
Post a Comment