Skip to main content

Më fol pak për veten!

Të lutem mos më trego vetëm gjërat e bukura, më rrëfe dhe ato të vrazhdat, të shëmtuarat, të vërtetat. Mos më trego vetëm atë që të bën të lumtur, më trego si e kalon trishtimin, a të dhemb zemra?

Mos më trego vetëm atë që bënë të tjerët për ty, më thuaj sa i gatshëm je ti të bësh gjithcka për këdo, sa të peshon kurajoja, sa guxim ke të hidhesh pa e ditur se si do shkojë.

Mos më trego vetëm për ngjarjet e një dite të rëndomtë, më thuaj kush janë ëndrrat e tua të mëdha, kush janë frikërat e tua dhe cfarë ti do më së shumti?

Mos më fol për qetësinë e shpirtit, më trego për ekstazën e zemrës, për kërcimet në shi, për vetëtimat syve, për tërmetet që ta shkundin qënien. Më trego për zhgënjimet, më mëso si të dal në bregun tjetër e të ulëras me zë shpotitës “ja dola”.

Më trego a je i gatshëm të qëndrosh edhe nëse të gjithë ikin, më fol për zjarrin që të afrohet në këmbë e fuqinë tënde për të shpëtuar veten, mua.

Më trego mënyrën tënde për ti thënë botës jo. Më mëso edhe mua se si ta vendos veten në vend të parë pa u përpjekur të kujdesem se mos lëndoj njeri. Më trego për butësinë ndaj vetes dhe për mosbesimin ndaj tjetrit. Më fol për veten në vend të parë dhe bëje me dinjitet.

Më fol pak për shpirtin tënd, cfarë ta mban gjallë, kush është motorri yt? Mos më trego për njerëzit që janë aty si numër, më fol për ata që të kanë dëmtuar, ata që ta kanë prekur deri në asht dhimbjen e të kanë shkrehur në lot.

Dua të di, nëse ti bashkëjeton me gjithcka në jetë!

Dua të di nëse trishtohesh, a arrin të buzëqeshësh pas saj?

Dua të di sa guxim ke ta jetosh këtë jetë të plotë?

Dua të di, kur je vetëm, a të mungon njeri?

Më fol pak për shpirtin tënd, cfarë ta mban gjallë, kush është motorri yt? Mos më trego për njerëzit që janë aty si numër, më fol për veten, mbi të gjitha, a ja del dot që kur je vetëm të mendosh se je plot?

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...