Më kujtohet edhe dita kur një pjesëz të vetes e lashë tek ty, më kujtohet se si zgjodha pikërisht zemrën, që u mishërua aty. Më kujtohet edhe momenti kur ti zgjodhe kasafortën e gjërave të tua për ti besuar të shtrenjtat ndjesi në nji, më kujtohet edhe dita më e zakonshme e jetës që mbante vetëm një emërues të përbashkët, unë edhe ti.
Nëse asnjëri nga ne, nuk e ka
larguar tjetrin nga jeta dhe nuk u bëmë kurrë si cdokush tjetër por mbetëm të përveçëm,
atëherë më thuaj, pse peshojmë në shpirt kaq shumë?
Ndërmjet gjithë mendimeve pa asnjë
dhimbje lënë peng, e shkuara ngjan si e tashme e sjellë në tryezë. Ti me
bindjen se ëndrrat zhbëhen edhe me një kafshatë, unë me refuzimin për to, ulur
në heshtje, me të tashmen përbri.
Nuk u përpoqa asnjëherë ta mësoj
veten pa ty, por nuk mësova dot se si është të harrosh dikë, të harrosh dikë që
të peshon në shpirt. Nuk u mësova dot as kur ti përgjigjeshe me heshtje, nuk e
mësova asnjëherë se cdo të thotë fjala: kurrë më!
Po edhe sa kohë na duhet që të
shtrëngohemi në një përqafim që nuk zgjat sa një fragment sekondi, kur bie shi
dhe është një ditë e rëndomtë, për të provuar shije tjetër të një jete pa zemërthyerje.
I marr të gjitha fajet mbi shpinë si mësime të miat për të dashur këtë jetë me
ty!
Edhe sa kohë duhet ta lëmë të
shkojë përpara se të jetë vonë?
I marr me vete fajet, i pranoj,
sepse sot refuzoj të jetoj të shkuarën dhe i jam përqafuar vetes dhe ty në të
tashmen, pa dashur të fshij asnjë kujtim, pa dashur të jetoj asnjë ditë më shumë
me peshën se ëndrrat zhbëhen! Unë dua të qëndroj, sepse nuk kam mësuar të
braktis. Unë dua të të jetoj sepse nuk u përpoqa ta mësoj veten pa ty, sot është
ndryshe, nuk dua që jashtë të bejë verë e në shpirt të jetë dimër, unë nuk di
ta fshi të shkuarën e as nuk mësohem dot pa të, sepse prej saj mora më të mirën,
të mora ty me vete në çdo stinë dhe asgjë nuk mu duk e pamundur.
Nëse asnjëri nga ne, nuk e ka
larguar tjetrin nga jeta dhe nuk u bëmë kurrë si cdokush tjetër por mbetëm të
përveçëm, duke peshuar kaq fort në shpirt, pse nuk ulemi në tryezë me të
tashmen përbri?
Comments
Post a Comment