Skip to main content

Rroftë jeta!

 Me ëndrrat e dëshirat e shpirtit!

Me të bukurën, me të shëmtuarën, me të pamundurën e me gjithë gjërat që shkojnë keq!

Me fjalët që na ngrenë shpirtin peshë e me heshtjen që na dhemb.

Me gëzimin, me dhimbjen, me lotin e fshehur e me grushtin mbledhur, me zhgënjimet e me të papriturat, me gjithë botën ose vetëm, rroftë jeta!

Do të zgjidhja të recitoja vargje të jetës e të zgjasja dorën mbi një tastë në piano për të veshur me melodi fjalët e ditës time. Do të zgjidhja të këndoja e në shtegtimin e syve të gjeja një cicërimë që më lidh me natyrën e në duetin tonë, të jetojë dielli. Do të zgjidhja të pikturoja bukur me penelat e shpirtit e të mbyllja sytë përpara tablosë së papërfunduar duke lënë zemrën të udhëheqë dorën në letër. Do të zgjidhja të vallëzoja me yjet e të ndiqja hapat e shkëlqimit të hënës, zbathur në trotuarin e dhimbjes, ku këmbët mezi shkëputën prej toke, si vala e përtuar e detit kur puth gurët në breg. Do të zgjidhja të jetoja si e përjetshme dhuratën e botës me ekzistencën time, duke e përqafuar fort e duke shtrënguar duart me gëzimin se jetoj.

Rroftë jeta!

Edhe atëherë kur shkon keq, na mëson se si të përkulemi, se si të jemi luftarak e me forcën ndër dhëmbë të gëzojmë se ja dolëm të kalojmë gardhin me gjëmba që del në shtigje të jetës.

Edhe atëherë kur mendojmë se mbaroi, kur me veten bëjmë paqe e jeta prap na sfidon, për të na vënë në lëvizje edhe njëherë motorrët e shpirtit e për të ndezur zemrën si flakadan për një maratonë, të themi se jetuam, jetuam plot!

Do të zgjidhja të vrapoja, të rendja pas balonave që ajrit i rrinë si një pikturë varur në mur, duke frymuar me ritme të shpejta e duke mbushur zemrën me emocion, si një shpirt i dehur në adrenalinë, do të zgjidhja të jetoja plot, të jetoja sot, të jetoja çdo ditë si e përjetshme dhuratën e botës me ekzistencën time!

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...