Unë dua ta jetoj prap veten si dikur, kur të jetoja ty, si një ëndërr e përbashkët, si një histori e pashkruar më parë, si lot gëzimi për ditën me diell, unë dua të të jetoj ty ndryshe, përtej asaj që mbeti. Dua të të jetoj ngjyrat, emocionin, grisjet e zemrës dhe plagët e saj, për ti mbushur hapësirat e historisë me një pritje të re, të duarve për një përqafim, të një dite të re me fjalët që pëshpërisnim dikur: a e mban mënd?
A e mban mënd çfarë ngjyrash
kishte nata?
E mban mend shpërthimin e zemrës?
Fjalët, dëshirat, muzikën?
Unë i mbaj gjallë ato emocione, gëzoj kur shoh lule të reja që çelin, kur jashtë bën diell, kur të përqafoj, kur pi, gëzoj për veten, për ty. Jeta ndryshon, jeta ecën kaq shpejt ndonjëherë… Asgjë nuk dhemb ose nuk thumbon më keq sesa pendimi gjërat që nuk duhet të kishim bërë ose për gjërat që duhej të kishim bërë, por nuk i bëmë. Ndaj unë i jam përqafuar e zhveshur nga dogmat kësaj jete. E kam dashur që kur fillova ta konceptoja, e dua sot, e dua tani. Unë dua të jetoj atë që nuk njoha, kontinentin tënd, festën pa një datë, dëshirën për të vizatuar ëndrra, për të mos njohur kufinjtë se ku mbaroj unë e ku fillon ti.
Unë nuk dua ta gjej dashurinë
diku tjetër, e dua këtu, në atë deshifrimin që ti i bën heshtjes time, në shtëpinë
që i dhashë zemrës dhe nuk e kërkova kurrë një celës për të mbyllur dyert e saj
sepse ti më le të isha e fortë për të provuar, për të jetuar, për të harruar, për
të treguar, a dashuron dot më? Ke fuqi të duash?
Ne kemi nevojë për të qenë një me
njëri -tjetrin në heshtjen e kujtimeve të pashprehura! Ne kemi nevojë për njëri
-tjetrin, jo për të mbushur zbrazëtinë tonë, por për të ndihmuar njëri -tjetrin të njohim
plotësinë tonë.
Unë dua ta jetoj prap veten si
dikur, kur të jetoja ty!
Comments
Post a Comment