Gjithçka nis e gjenerohet tek uni, në mbërritjen e heshtur, në prekjen e fundit. Ndoshta nuk kishte asnjë katalizator të vërtetë, por ishte thjesht çështje kohe. Ndodh. Çështja është që në fund të çdo dite, ti ke mbetur vetëm me veten tënde.
Ishte një moment kur për herë të parë kuptova se nuk isha një, por isha një mundësi e pafund e qënieve që ndryshuan format dhe ngjyrat e pasioneve. Zbulova atëherë se dëshirat e mia ishin aq të fragmentuara sa kur përqafova me guxim ftesën e vetes për të qënë kush të doja i dhashë liri imagjinatës sime, ideve të egra, një kërkimi të pa filtruar për dashuri që kishte filluar të dukej e lirë dhe spontane. Mund të vendosja një moment të isha kushdo pa afektuar askënd.
Me çdo hap që hidhja në vetmi, aq më e ndritshme i shfaqesha vetes, sikur imagjinata ime të ishte një pishtar që ndriçonte një botë të errët. Sa më shumë kohë të kaloja me veten time, aq më shumë po kaloja pasiguritë e mia sikur këmbëngulja të shndërrohej në forca të blinduara ndërsa udhëtoja përbrënda vetes.
Ka një manifestim të rrënjosur tek muzika, arti, letërsia, që ne duhet ta ndajmë dhe përhapim në një botë që kërkon të na përcaktojë dhe të na kufizojë në një ide të ngucur të ndjesisë së dashurisë, duke kthyer fokusin tek vetja, si qënia më e rëndësishme e botës.
Unë festoj veten, i gëzohem vetes, i këndoj vetes si melodia më e bukur, si ëndrra më e gjallë, si dita më e lumtur, si data e shënuar, njësoj çdo ditë, unë festoj ekzistencën time. Në përhumbjen me idetë e gjenialitetit të vetmisë ndjeva se gishtin e vura në zemër dhe shkunda emocionet që kanë shtëpi veten, gjithçka nis e gjenerohet tek uni!
Comments
Post a Comment