“Më vjen keq!”
Është zhveshja më e dobët që trupi përjeton pas kësaj fjalie, është një keqardhje e këputur, është një dorë në shpatull në një fragment sekondi. E di cfarë do të bënte ndryshim tani? Një pëshpëritje në vesh me fjalën të du’! Mbi gjithcka, në formën më naive e të pastër në botë kur heshtja të thyhet vetëm nga fjala “edhe unë”.
Sa shumë e shumë të pathëna do të merrnin edhe njëherë jetë nëse gjërat do të ishin ndryshe sepse mund të duash disa njerëz gjatë jetës por askush asnjëherë nuk do mësojë të dashurojë sic bëje ti! Në asnjë ditë e në asnjë jetë nuk do të gjesh asnjë zemër që të jetë e njëjtë.
Do të vij tek ti ndryshe nga hera e fundit, do të vij e zhveshur nga pengjet dhe e qetë, të të rigjej edhe njëherë tek ty atë që dikur njoha, vrullin e një zemre me krahë, të një shpirti që dehet pa orar, të një prekje me mall fytyrës me duar. E mban mend se si bota ndaloi atë natë? Se si e vetmja e lëvizsshme në ajër ishte ndjesia, ishim unë edhe ti? A e mban mënd kur më the të dua?
Po, edhe unë…
E mbaj mënd si tani që zgjimi im ishte mesazhi yt, që dita ime ishte frymëzimi yt dhe fryma jote ishte emocion për mua. Do të lakoj gjithmonë kohën e shkuar për të sjellë në vëmëndje lumturinë. Më ngjan se e kam humbur diku aty në ditët kur e dija fort mirë se të doja njësoj edhe unë!
E di për cfarë dua të rikthehem edhe njëherë përballë teje?! Të provoj veten nëse ende janë të gjalla tek unë ndjesitë apo gjetiu i kam humbur e më duhet të nis të kërkoj? Lumturinë e kam frikë, është nga të paktat gjëra që njeriu e fiton vështirë dhe e humbet sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, madje është e vetmja që shijen e humbjes e ka të hidhur shumë. Për dreq e kam provuar…
Sot nuk kam drojën të të them se më mungon vetja tek ty, se në njëmijë emocione do të të zgjidhja po prap ty, që m’i ke dhënë dimension tjetër ndjesive, që botën e bën të rrotullueshme në cast dhe ëndrrat i bën të prekshme. Ka gjithmonë një arsye që natyra e kthen përmbys ditën, ka një stinë që i bën rrugët më të afërta, ka shumë kujtime që më bëjnë të qëndroj me kokën pas tek ty, ka një fjalë pas të gjithave, mungesës, ndjesisë…
A e mban mënd kur më the të dua?
Po, edhe unë…
Comments
Post a Comment