Shumë herë ndodh që të humbem në shikimin që sdi se ku shkon me mendjen të bërë si kopësht lulesh... ndodh që të rikthehem po prap e trullosur dhe sërish në mendje të gjej ty, dhe është pikerisht ky mendim që m’i zgjon gjithë qelizat e fjetura!
...është bukur kur je në paqe me veten, duket sikur gjithcka vihet në funksion të mirëqënies tënde, sikur edhe ajo melodia që vjen për së largu, luhet për ty. Sa shtrenjtë e sa lirë kushton lumturia? Do të tingëlloj arrogante po të të them se kushton shumë?
Kushton... kushton shumë!
Më bëso, më kushton mëngjesin, ditën, diellin, frymën dhe pa droje e shpenzoj si një njeri që jetës i përqafohem krahëhapur për cdo emocion sepse cdo ditë do të lindte po prap njësoj e në cdo mbrëmje po prap mbi të njëjtën ndjesi do të shpenzoja gjithë cfarë kam, minutin, orën, frymën e shpirtin. Lumturia kushton shtrenjtë sepse koha ime formësohet me gjithcka merr jetë prej momentit që hap sytë.
Padashje kam rendur të jetoj ditët duke neglizhuar faktin se në thelb po krijoja kujtime. Ka foto të cilave u rikthehem e them brenda vetes, e çmë është dashur të mendoj në ato momente, lum kush mendjes i jep qiell në ditë të lumtura që të ketë hapësirë të gëzohet i lirë, lum kush di të njohë gëzime!
Nuk do t’i besoja dikujt që lumturisë nuk i faturon asgjë, e imja është e shtrenjtë...
Sepse lumturi në thelb është të jesh i lirë!
Të duash, jetosh, gëzohesh e në parim të jesh në harmoni me veten është një luftë ndërmjet asaj që ti dëshiron me zemër e asaj që jashtë zemrës tënde gjallon.
Prej së largu kumbon ende një melodi, është harmonia e të ecurit me një mendim të lirë, prej aty ku lindin ndjesitë e mira e prej aty ku balonat lartësohen mbi krye, ku ngazëllimi merr jetë e aty ku jeta ndërtohet prej grimcave të perceptimit tim, në ajrin që gëlon e në sytë me shikimin si përballë një tabloje shtrëngoj në duar ngjyrat, mbushem me frymë plot e lëshoj një buzëqeshje të lehte, ti je lapsi im blu, me të cilin pikturoj qiellin cdo ditë!
Comments
Post a Comment